Nga Mentor Kikia

Kam qenë gjithmonë kritik me çdo qeveri, dhe bindja ime se më e keqja s’ka ardhur akoma, më është përforcuar. Por kam arritur në një tjetër përfundim. Që të gjitha ç’na kanë bërë e na bëjnë, i kemi hak. Kam takuar këto javët e fundit shumë njerëz nëpër qytete e fshatra. Kam dëgjuar njerëz të pakënaqur, që vetëm shajnë.

“Kishim një kryetar komune, – tregoi njëri – që tre herë na gënjeu për ujësjellësin. Madje i solli edhe tubat njëherë dhe i mori prapë dhe nuk dimë nga i çoi”.
-Po ju e votuat prapë, besoj.
– Po, po e votuam, se e kishim tonin. Pastaj na u lut dhe ai deputeti i zonës, se ka ca njerëz të vet këtu.
– Mrekulli, po tani çfarë doni? Ujësjellës prapë, besoj ë?

Këta janë shqiptarët. Këta janë njerëzit më të nënshtruar në botë. I vjedh, i shtyp, i rrjep, u rrit taksat, u vendos tarifë edhe kur të marrin frymë, edhe kur lindin edhe kur vdesin, dhe nuk ndjehen. 
Ah, po, te klubi i lagjes dhe fshatit të bëjnë gjëmën. Një kafe, dhe teke pas tekeje, deri te dopjoja e tretë, i bëjmë të gjitha. 
Po në mëngjes te Bashkim Hoxha që lexon gazetat? Atje zbrazen të gjitha ankesat. Për papunësinë, për vendime gjykatash, për rrugë, ujë, fatura e drita, lejet e ndërtimit, taksat që s’i përballon, telefonojnë e zbrazen të gjithë, dhe Bashkimi i thotë:

“Po zotëri keni të drejtë. Tjetri…”.

Dhe thonë se ka faj qeveria? Unë them jo.

*Koment nga Mentor Kikia, kryeredaktor i lajmeve në “Top Channel”