Nga Artan Fuga
1 tetor 2015 – Ideja e Bashkisë të Tiranës për t’u dhënë nga një kafe mëngjesi të moshuarve është shumë e mirë.
Ja nga këto ide duhen për të forcuar solidaritetin njerëzor në qytet. Bashkia duhet të kujdeset për bashkësinë dhe sidomos për shtresa vulnerabile.
Dhe nuk kërkohen shumë para. Një shaka e vogël financiare është.
Si këto ide mund të konceptohen së paku njëqindenjëmbëdhjetë nga sa kam numëruar me miqtë e mi.
Por realizimi më duket fyes. Duhet korrigjuar që të mos e dështojë idenë.
Kafenë të vinë ta pijnë në bashki ose në kafenenë e saj apo ngjitur me të???
Me duket pak fyese. Ata nuk kanë mbetur për një kafe për t’u zhvendosur deri në bashki që mund të jetë disa qindra metra ose disa kilometra larg. Nuk është një supë për të uriturit.
Të vijnë për një kafe qyl në bashki?
Të moshuarit mund të kenë dëshirë për ta pirë me shoqëri të ngushta në kafenetë e tyre të preferuara.
Edhe turp do të kenë për ta parë njeri-tjetrin te kafeja e qylit. Kafeja është një çështje nderi dhe burrërie, ose grarërie, dhe nuk mund të marri pamjen e një kafeje qyl.
Eshtë ritual nderi, nuk mund të bëhet teatër turpi.
Pastaj duhet ditur se çfarë domethënë “gjyshërit”. Po gjyshet? Po ata që janë të vjetër por nuk janë gjyshër! Duke filluar nga cila moshë?
Si do të dallohen ata që janë banorë në atë lagje? Do t’u kërkohet karta e identitetit, apo me fletë-hyrje? Por, sa do të lejohen të rrinë ata në kafe???
Po dikush që nuk e pi kafen, a mund ta konvertojë në një gotë ujë me gaz a një salep?
Pse kafenë e mëngjesit dhe jo të pasdites???
Pra, ideja e shkëlqyer duhet të organizohet mirë që mos bëhet nga kafeja e nderit në kafenë e qylit, nga rituali i nderit, në sindromën e turpit dhe poshtërimit.
Sepse nuk është mirë as nga pikëpamja e psikologjisë moshore. Është e dëmshme. Të moshuarit nuk duhet të socializohen duke ndejtur vetëm me njëri-tjetrin sikurse i detyron kafeja e qylit. Ata duhet të përzihen me popullsinë e mikromjedisit të lagjes tyre, fëmijë, të rinj, të njohur, të panjohur, jashtë shtëpisë. Përndryshe i stigmatizon dhe krijon atë që quhet kolektivi i stigmërs. Po këto gjëra psikologjike të holla, nëpunësit e bashkisë nuk kanë si t’i dinë.
Si mund të bëhet?
Me kupona me vulën e bashkisë ose me markë elektronike, ku të shënohet se çfarë është, një kafe në ditë, në të gjitha kafenetë e territorit që mbulon minibashkia, në çdo orë të ditës, një në ditë, ose tridhjetë në ditë, por ditët e tjera të muajit mund të pish ajër.
Ta pinë ku të duan, kur të duan, me kë të duan, pa u ndjerë të detyruar që mëngjes për mëngjes të shkojnë me instikt pavlovian te dera e bashkisë për kafe e të ndihen të detyruar moralisht tek ajo, sikurse ndjehemi si shqiptarë për atë që na qerasi me kafe.
Bëje të mirën dhe hidhe në det, kjo është etika humane me gjyshërit. Se po qe se i detyron të vijnë te dera e bashkisë për një kafe, jo vetëm i vendos në radhë, jo vetëm i turpëron, por e kthen kafenë në teknikë marrëdhëniesh publike për punonjësin e bashkisë.
/portali DurresLajm/