Pirja e kafesë para se të shkoni në punë ose para se të uleni para kompjuterit ul dhimbjet e shkaktuara në qafë, shpatulla, krahë apo kyçe. Sipas një studimi të shkencëtarëve të universitetit të Oslos në Norvegji kafeja përbën një kurë të mirë për dhimbjet.

Studiuesit Vegard Strøm, Cecilie Røe e Stein Knardahl dolën në përfundimin se personat që pinin kafe para se të shkonin në punë ndjenin më pak dhimbje nga koha e gjatë e qëndrimit para kompjuterit. Nëse një punonjës që kishte pirë kafe shkruante në kompjuter pa ndalim për më shumë se 90 minuta, ai pakësonte ndjeshëm rrezikun e prekjes nga dhimbjet e qafës, shpatullave, krahëve apo kyçeve.

Sipas studiuesve merita për këtë i takon kafeinës, e cila edhe në studime të tjera është përcaktuar si një kurë kundër dhimbjeve. Jo më kot ilace si aspirina apo paracetamoli kanë në përbërje të tyre kafeinë. Prania e kafeinës në to i bën këto barna më efikasë.

Por sa kafe duhet të pijmë në këtë rast për të parandaluar dhimbjet? Ekspertët e fushës kanë arritur në përfundimin se kafeina nuk duhet të merret në sasi të mëdha për të dhënë efekt. E mjaftueshme është një sasi e vogël. Për realizimin e këtij studimi u testuan 22 persona që vuanin nga dhimbje kronike në shpatulla dhe qafë dhe 26 persona të tjerë që nuk ndjenin dhimbje.

Të gjithë pjesëmarrësve në studim ju kërkua të qëndronin për një orë e gjysëm para kompjuterit dhe të korrigjonin në mënyrën më të shpejtë dhe më të saktë të mundshme një dokument. Atyre ju ofrua që para se të nisnin punën të pinin një kafe. Vetëm 19 persona (vetëm 40% e tyre) pinë kafe para se të uleshin para kompjuterit. 

Në përfundim të testimit, shkencëtarët mundën të konstatonin se ata që kishin pirë kafe (qofshin këta nga grupi që kishte dhimbje kronike apo ata të shëndetshëm) ndjenin më pak dhimbje krahasuar me ata që nuk kishin pirë kafe. “Rezultatet në përfundim të periudhës së qëndrimit para kompjuterit na nxorrën në konkluzionin se tek ata që kishin pirë kafe dhimbjet ishin më të pakta sesa tek pjesa tjetër e grupit”,- thanë studiuesit.

Megjithëse kafeina nuk mund të na i eleminojë dhimbjet të paktën ajo ndihmon në reduktimin ose në shfaqjen e tyre në një formë më të lehtë. Kështu kafeja përveç faktit që na rrit përqendrimin në punë ndihmon muskujt të perceptojnë më pak dhimbje pas një qëndrimi të gjatë para kompjuterit.