Dëshira për mbajtjen e kafshëve apo zogjve apo peshqve të llojeve të ndryshme në shtëpi vitet e fundit është shtuar shumë. Por, sipas ligjeve tona kafshët duhet të jenë të pajisura me çertifikatën përkatëse, që tregon ligjshmërinë e mbajtjes, vendin nga ka ardhur dhe të dhënat sanitare. Në këtë rast bëhet fjalë për mbajtjen e kafshëve për të gjetur një mik më të mirë në shtëpi, për të zbukuruar ambientin, apo për t’u ndjerë sa më afër natyrës. Specialistët thonë se preferencat për kafshët janë nga më të ndryshmet.
Në vende të tjera shpesh këto preference kalojnë në ekstrem, pasi bëhet fjalë për mbajtjen në shtëpi të kafshëve ekzotike si tigër, krokodil etj. Ndërkohë në vendin tonë kafshët dhe shpendët më të preferuar mbeten qentë, macet, kanarinat dhe papagajtë. Përveç dashurisë dhe miqësisë që dhuron një kafshë në shtëpi, problemi qëndron tek përkujdesja e veçantë sanitare dhe kontrolli i herë pas hershëm tek veterineri.
Një i apasionuar pas kafshëve, Denisi, thotë se mbajtja e tyre në shtëpi sjell më shumë dashuri në familje, madje në pjesën më të madhe të rasteve ato i konsideron si pjesëtarë familjeje me të cilët je shumë i lidhur. Ai mban prej vitesh në shtëpinë e tij një akuarium me peshq. Tashmë ka 2 peshq portokalli në një akuarium mesatar.
Denisi thotë se ka pasur më përpara 10 copë, po si duket vetëm dy prej tyre arritën të jetojnë gjatë. Ka mbi 8 vjet që i mban peshqit në shtëpi dhe kujdeset shumë për to. Sapo kthehet në shtëpi shkon të shohë miqtë e tij të dashur dhe u hedh ushqimin, si dhe merret me ndërrimin e ujit të akuariumit sa herë është e nevojshme.
Po krahas peshqve, të cilët kanë edhe specifika të veçanta, mjaft të preferuar mbeten qentë, macet, kanarinat, majmunët, papagajtë, breshkat etj. Në një dyqan kafshësh në Durrës, pronari i tij, Seadi, shprehet se ka një tendencë në rritje të qytetarëve që kërkojnë të blejnë kafshë shtëpiake.
“5 vitet e fundit shitjet në dyqan mund të shkojnë deri në 15-20 kafshë në muaj, por shifrat variojnë”,- thotë ai. Seadi rendit në top-listën e shitjeve qentë, kanarinat dhe papagajtë. Sipas tij, qytetarët janë më të predispozuar për të mbajtur këto kafshë, sepse janë më të lehta për t’u ushqyer dhe për t’u kujdesur dhe më të pastra për t’u mbajtur në shtëpi. Përveç dëshirës, gjithçka varet edhe nga mundësitë që ka një familje për të mbajtur një kafshë.
Në këtë rast, të gjithë ata që kanë një vilë me një oborr përpara, marrin më tepër breshkat, qentë dhe majmunët. Ndërsa ata që jetojnë në apartament preferojnë të marrin kanarina apo papagaj, të cilat i vendosin në kafaz në ballkon. Po kështu, apartamenti është i mjaftueshëm për të mbajtur një qen apo një mace. Për të blerë një kafshë shtëpiake mund të drejtohesh në dyqanin e Seadit, i cili është i vetmi dyqan që funksionon në bazë të të gjithaligjeve në fuqi.
Ky dyqan tregton kafshë brenda rregullave ligjore, është i pajisur me liçencën e ushtrimit të aktivitetit dhe njëkohësisht për çdo kafshë ka një çertifikatë të rregullt. Në çertifikatën e kafshës janë hedhur të gjitha të dhënat zyrtare, ku përcaktohet gjinia, lloji, raca, mosha, vaksinimi që i është bërë kafshës etj. Të gjitha shpendët apo kafshët që tregtohen janë të importuara nga vendet e rajonit si Serbia apo Mali i Zi. Ato pajisen me dokumentin shëndetësor kur importohen.
Ndërkohë në pikat e kalimit kufitar ushtrohet kontroll veterinar dhe në rastet kur rezulton se ato janë mbartëse të ndonjë sëmundjeje, kafsha izolohet dhe kryhen ekzaminimet e nevojshme për të përcaktuar prejardhjen e sëmundjes dhe rrezikun që mund të përhapë në popullatë.
Veterinerja durrsake Anila Goga tregon se qentë dhe macet janë kafshët, për të cilat pronarët drejtohen në klinikë për të kryer vaksinimin e tyre. Përveç dëshirës për të mbajtur një kafshë në shtëpi ekziston dhe rreziku i përhapjes së sëmundjeve. Shpeshherë kafshët bëhen mbartëse të sëmundjeve në rast se pronari i tyre nuk tregohet i kujdesshëm ndaj vaksinimit dhe vizitës së herë pas hershme tek veterineri.
Goga shprehet se një pjesë e madhe e personave që kanë një kafshë në shtëpi janë të kujdesshëm ndaj vizitave dhe kalendarit të vaksinimit, por ka edhe një kategori tjetër që nuk zbaton rregullat sanitare të mbajtjes së një kafshe bashkë me familjarët e tjerë në një shtëpi. Në rast se nuk kryhet vaksinimi dhe kontrolli i vazhdueshëm i tyre, kafshët mund të përhapin mikrobe dhe parazitë që mund të bëhen tepër të rrezikshëm për shëndetin e familjarëve.
Njëkohësisht mund të preken nga sëmundje të lëkurës, siç quhet në gjuhën popullore kroma e lëkurës, e cila është e transmetueshme nga kafsha te njeriu. Çdo person i apasionuar pas kafshëve ka të drejtë të zgjedhë lirisht mjekun veteriner. Sipas veterineres Goga bëjnë përjashtim rastet, që kanë lidhje me mbrojtjen e detyrueshme të kafshëve kundër sëmundjeve ngjitëse.
Çdo pronar i kafshëve është i detyruar të mbrojë shëndetin e kafshëve dhe anëtarëve të familjes së tij nga sëmundjet zoonotike, si dhe duhet të ndihmojë në inspektimin dhe kontrollin sanitaro-veterinar si dhe t’i japë veterinerit materiale për ekzaminim dhe të marrë masa të tjera për mbrojtjen kundër sëmundjeve ngjitëse të kafshëve. Pronari i kafshës duhet të lajmërojë veterinerin më të afërt në rast rreziku për shëndetin e kafshëve dhe të njerëzve.
Në vendin tonë kafshët dhe shpendët më të preferuar mbeten qentë, macet, kanarinat dhe papagajtë. Përveç dashurisë dhe miqësisë që dhuron një kafshë në shtëpi, problemi qëndron tek përkujdesja e veçantë sanitare dhe kontrolli i herë pas hershëm tek veterineri
Sipas Anilës, vaksinimi i rregullt i kafshëve ka bërë që numri i rasteve me sëmundje kryesisht virusale (paraviroz dhe lija) të reduktohet dukshëm në krahasim me vitet 2000, kur ajo ka filluar të ushtrojë këtë profesion. Ndërkohë veterinerët këshillojnë që të tregoni kujdes të veçantë për kafshët në mot të ftohtë.
Kafshët duhet të pinë shumë ujë, si ato që jetojnë në ambiente të jashtme, ashtu edhe to që rrinë në ambiente të mbyllura. Në të njëjtën kohë sasia e ushqimit duhet të trefishohet për qentë dhe macet që jetojnë jashtë shtëpisë dhe të rritet në mënyrë të konsiderueshme për ato që jetojnë brenda shtëpisë.
Nëse ju nuk e keni vendosur ende për të blerë një kafshë nga një dyqan, mos hezitoni ta bëni. Mos harroni se duke pasur një kafshë pranë ju ndihmon të qëndroni aktivë në jetë. Veçanërisht nëse jetoni vetëm, kafshët shtëpiake ndihmojnë kundër vetmisë. Ai mund të bëhet një shok i mirë dhe të ndikojë pozitivisht në personalitetin tuaj. Duke u kujdesur për të ju do të keni gjithmonë diçka për të bërë.
Rregullat për të pasur kafshë të shëndetshme
-Mos i ushqeni kafshët me ëmbëlsira, por vetëm ato me ato të përshtatura për kafshë. Të ushqyerit vetëm me ushqime sipas moshës (këlyshë apo të rritur) dhe sipas gjendjes fiziologjike (barrsat, mbipeshë, diabetikët, të sterilizuarat) ndikon në shëndetin e kafshës.
-Mos i lani kur janë këlyshë. Dhe kur janë të rritur mos i lani shpesh, sepse i largoni shtresën e yndyrës që kafshës, sidomos atyre që qëndrojnë jashtë, i duhet për të përballuar ndryshimet e motit.
– Shëtitini miqtë tuaj 1-2 herë në ditë. Gjatë shëtitjeve organizojini lojra. Kjo do të ishte një terapi e mirë për ju dhe mikun tuaj.
– Duhet t’i mësoni mikut tuaj shtëpiak rregullat bazë. Si për shembull disa komanda: të ulet, të vijë tek ju, t’ju ndjekë dhe të qëndrojë në vend, por edhe komanda më të komplikuara si rrotullime, kërcime etj.
-Duhet që gjithmonë të mundoheni ta mbani në kontakt me kafshë të tjera, prandaj duhet që shpesh të gjeni kohën ta shëtisni në park.
-Vaksinat nuk duhet të zëvendësohen me asnjë mjekim tjetër, prandaj nuk duhet t’i neglizhoni.
-Vaksinimi i këlyshëve duhet bërë çdo 3 javë, rivaksinimi bëhet çdo vit, ndërsa vaksina kundër tërbimit një herë në 2-3 vjet.
Shërbime për një higjenë të mirë
-Mbani nën kontroll ekinokokun dhe parazitë të tjerë të brendshëm, që janë zoonozë (kalojnë nga kafshët tek njeriu). Tableta për këtë ka shumë. Jepini ato sipas këshillave të veterinerit në varësi të peshës dhe moshës. Nuk duhet të ndërpriten në asnjë moshë.
-Bëni kontrollin e herë pas hershëm me sy sidomos mbas shëtitjeve, për parazitë të jashtëm. Ata janë shkaktarë të shumë sëmundjeve tek qentë. Përdorni aplikatorë ose kollare antiparazitare, të cilat i gjeni nëpër klinika veterinare.
-Ekzistojnë pak teste tek ne për të zbuluar sëmundjet e shoqëruesve tanë. Le të shfrytëzojmë ato që kemi. Një nga ata është ai për zbulimin e Leshmanozës (sëmundje që kalon tek njeriu). Parandalojmë duke bërë teste të përvitshme.
-Kujdesuni për dhëmbët! Përdorni kocka sintetike me klorofil, furçë dhe pasta të posaçme për të ndaluar formimin e gurëve dhe xhinxhiviteve.
-Kujdesuni për veshët! Pastrojini me leckë dhe solucione të posaçme që të ndaloni infeksionet që janë më të zakonshme tek qentë.
-Kujdesuni për qimen. Ajo është e gjatësive të ndryshme dhe e veçantë për çdo rracë. Blini furçat dhe krehërat e posaçëm. Përshtatni shampot dhe larjet sipas racës së qenit dhe maces tuaj. Bëni qethje të përvitshme.