KAKAVIJË – Autoritetet greke kanë vijuar edhe ditën e sotme me kthimin në pikën kufitare të Kakavijës të familjeve shqiptare me pretendimin për parregullsi në pasaporta. Pas incidentit me 10 familje pasditen e djeshme edhe gjatë natës kanë vijuar pengesat për kalimin në tokën helene nga pala greke.
Balkanweb bën të ditur se kthimi ka vijuar gjatë gjithë natës ndërkohë, që policia e Gjirokastrës ka bërë të ditur se bëhet fjalë për 15 fëmijë të kthyer, që kanë qëndruar në kushte të vështira për shkak të motit të rënduar me reshje.
Policia bën të ditur se për çështjen në fjalë ka patur një takim mes drejtorit të kufirit të pikës së Kakavijës, Admir Abrija, me homologët greke. Kthimet sikundër pretendohet kanë të bëjnë me të drejtën ndërkombëtare të toponimeve.
Deri më tani regjistrohen gjithsej janë 35 familje të kthyera.





