KAKAVIJE, 23 shtator 2013 – Ministria e Brendshme njoftoi se policia Kufitare e Kakavijës ka bllokuar mbrëmë rreth orës 02:00 të mëngjesit, 3.5 kg drogë të dyshuar si heroinë si dhe ka arrestuar transportuesin e saj. 

Droga është kapur gjatë kontrollit në vijën e dytë për në dalje drejt Greqisë, të automjetit tip “Benz” me targa greke “AA 811 GL“, që drejtohej nga 36-vjeçari Eduart Nazari , me origjinë nga Berati.

Në brendësi të sediljes së pasme të pasagjerit, u gjetën 7 pako të mbështjella me letër natriban, brenda të cilave kishte lëndë narkotike të dyshuar të llojit heroinë. 

Policia Kufitare e Kakavijës ka shoqëruar në Komisariatin e Gjirokastrës drejtuesin e mjetit si dhe pasagjerin që udhëtonte me të. 

Nga hetimet paraprake ka rezultuar se drejtuesi i automjetit e kishte blerë lëndën narkotike në Berat dhe do ta trafikonte në Athinë, ndërsa pasagjeri që udhëtonte në automjetin ku u gjet lënda narkotike, nuk ishte i implikuar në këtë trafik.