Një fundjavë si kurrë më parë ishte ajo e 9 dhe 10 gushtit nga maja më piktoreske e Durrësit, Kalaja e Ishmit, e cila hapi dyert në një eveniment që mbahej për herë të parë duke u ndezur nga volumi i energjisë verore dhe atmosfera e banorëve të zonës!
Një festë madhështore që u mbajt për dy net me radhë, u zhvillua nën kujdesin e veçantë të deputetit të zonës Jurgis Çyrbja, i cili prej shumë kohësh me punë dhe këmbëngulje të vazhdueshme nuk rresht së promovuari Ishmin dhe artistët e rinj të kësaj njësie administrative, teksa e finalizoi synimin e tij në këtë aktivitet kaq të bukur për banorët, me premtimin se do të kthehet në një traditë të përvitshme.
Në hapje të aktivitetit, ku të pranishëm ishin me dhjetëra banorë, intelektualë të zonës, turistë e artistë, në fjalimin e tij emocionues Çyrbja theksoi se është koha për të shkruar në gërma historike kapitullin e ri të zhvillimit që ka nisur në Ishëm, si kurrë më parë!
“Ju falënderoj të gjithëve që keni marrë pjesë në këtë festë që do jetë e përmotshme në kalanë e Ishmit, në pikën më të lartë, në kalanë 540-vjeçare. Doja të falënderoja të gjithë intelektualët e kësaj zone që kur e prezantuam idenë në fillim, na mbështetën, na dhanë ide dhe na thanë që është hera e parë dhe vazhdoni kështu.
Më thonë shpesh pse duhet të vizitojmë Ishmin? Sepse ka shumë për t’u vizituar, ka histori pafund, ka kalanë, është e vetmja njësi administrative që ka dy kala, Kalanë e Kepit të Rodonit dhe Kalanë e Ishmit, kulla shekullore, Bazilika, Kisha e Shna Ndout në Kepin e Rodonit etj., pra ka histori pafund.
Gjithashtu nuk mund të lëmë pa përmendur djalin e kësaj zone i cili sot prehet në hyrje të Kalasë së Ishmit, Ibrahim Kodrën, i cili me emrin e tij ngriti Ishmin dhe Shqipërinë në nivel ndërkombëtar. Së shpejti do bëjmë dhe muzeun e Ibrahim Kodrës pranë varrit të tij.
Cili është qëllimi i kësaj feste, promovimi i Ishmit, i vlerave të Ishmit, i natyrës, i turizmit dhe njerëzve të mrekullueshëm që ka kjo zonë!“, u shpreh deputeti Çyrbja.
E menduar në detaje më së miri ishte gjithçka në këtë aktivitet dy ditor: që nga ekspozitat me piktura, interpretimi i vjershave të autorëve nga Ishmi, në një dokumentar gjithëpërfshirës që tregonte për historikun e Ishmit, i cili deri dje njihej thjesht si një lokacion në hartë e sot është kthyer në një atraksion turistik tërheqës për vendasit dhe të huajt, për të vijuar festën me grupin e valleve të Shqipërisë së Mesme dhe muzikë e atmosferë ngazëllyese nga artistët e njohur Valbona Halili, Enkelejda Arifi, Hysni Alushi etj.
Kalaja e Ishmit ishte e gjitha në festë, duke shijuar kështu një kapitull të ri që në çdo vit pasardhës do të jehojë akoma edhe më shumë…