Mesfushori ofensiv shkodran, Arlind Kalaja, shprehu gatishmërinë dhe dëshirën e tij për të lënë shenjë me fanellën e durrsakëve. Ai beson te forca që ka kjo skuadër dhe mendon se kalimi i turit të parë është i mundur.
Arlind, prej më shume se tri javësh jeni lojtar i Teutës. Cili është impakti juaj i parë për klubin?
Jam i lumtur që jam këtu dhe për aventurën e re. Teuta është një klub i madh. Mezi pres të luaj dhe premtoj më të mirën time.
Si paraqitet gjendja e skuadrës pas 11 ditësh në Bansko?
Jemi duke punuar. Është një periudhë, e cila ndoshta për ne futbollistët është më e vështira, ku duhet të punojnë shumë fizikisht. Deri tani për fat të mirë çdo gjë po shkon mbarë dhe shpresoj deri në ndeshjen e parë të Europës.
Çfarë synimesh keni tani që jeni pjesë e Teutës?
Në aspektin personal, dua të bëj një hap përpara në karrierën sportive me kalimin te Teuta dhe shpresoj e dua që të fitoj trofe me ekipin e ri.
Çfarë ofertash të tjera keni pasur?
Po, kam pasur shumë oferta, por Teuta më kërkoi me ngulm. Nuk mund t’i thosha jo Teutës dhe projektit që më prezantuan për objektivat e ekipit.
Si mendoni, sa larg do të shkojë Teuta këtë verë në Europë?
Natyrisht që objektivi më minimal është kalimi i një turi në Europa League, por duhet të shkojmë edhe sa më lart. Nuk duhet të jemi euforikë, por të jemi sa më të qetë në punën dhe në luftën tonë dhe për sezonin e ri futbollistik, duke dhënë maksimumin për këtë fanellë që rëndon shumë.
Po ndeshja e parë ndaj Ventsplis si ju duket?
Është normale që ndeshjet me Ventsplis, edhe në Letoni dhe në Durrës, janë shumë të vështira. Por, mendoj se jemi 11 kundër 11 dhe ata janë njerëz. Të enjten e 11 korrikut do të hyjmë në fushë dhe do të luajmë. Do t’i luajmë shanset tona, pasi janë 180 minuta. Dhe unë mendoj që kemi shanse, pse jo.
Realisht, sa shanse ka Teuta ta kalojë këtë tur?
Me pak kujdes dhe përkushtim dhe me një skuadër që pritet të japë shpirtin në fushën e lojës, besoj se do t’ia dalim.
Një mesazh për tifozët e Teutës?
Tifozëve u premtoj, jo 100, por 200%. Nuk kam nevojë të motivohem më shumë, pasi vetë një klub si Teuta të motivon dhe unë jam gati për këtë sfidë.





