Teuta-Laçi është gjithmonë një ndeshje me emocione brenda, por këtë herë vjen si një provë pjekurie për blutë e Hodos. Një ndeshje ku Teuta duhet të tregojë maturinë dhe vazhdimësinë në një kampionat, që të hedhin poshtë fjalët se nuk është një skuadër rastësore dhe se çdo rezultat e kanë marrë me meritë, pavarësisht ulje-ngritjeve që kanë kaluar.

Si fillim, Teuta duhet të tregojë në fushën e lojës kundër kurbinasve se është ekip i pjekur, i cili fiton dhe është pretendenti kryesor për të arritur atë që dëshiron. Oshilacionet kanë qenë thjesht rastësore dhe barazimi i fundit ka bërë që skuadra të fokusohet edhe për të marrë një marsh më shumë për rrugën drejt shpëtimit.

Jo vetëm Teuta, por në veçanti lojtarët e Teutës duhet të tregojnë se kanë pjekurinë për të ndihmuar klubin që të dalë nga kjo situatë. Për Teutën e Hodos, nëse ia del të fitojë, do të vijojë të hedhë një hap të madh drejt sigurimit të mbijetesës dhe duhet të shfaqë pjekurinë si skuadra që ka ADN-në e Superiores.

Skuadra e Teutës rinisi përgatitjet për takimin ndaj Laçit, në duelin e vlefshëm për javën e 34-t të Kategorisë Superiore. Nën drejtimin e trajnerit Hodo dhe stafit teknik, grupi i lojtarëve ka kryer seancën e sotme në kompleksin sportiv “Niko Dovana” në Durrës. Gjendja e skuadrës paraqitet optimale dhe të gjithë lojtarët kanë zhvilluar të plotë programin e përcaktuar stërvitor. Për përballjen ndaj Laçit trajneri Martini do të ketë në dispozicion të gjithë ekipin.

Brenda kësaj kohe pritet që futbollistët të jenë në gjendje optimale për të qenë gati dhe të vijojnë me rezultate pozitive në Superiore. Në fundin e seancës, ata zhvilluan edhe një lojë mes tyre. Harmonia në ekip shihet si një faktor kyç për një ecuri pozitive gjatë sezonit.

Deri të shtunën, në Durrës kanë mjaftueshëm kohë për t’u bërë gati për sfidën ndaj Laçit. Teutën e pret një ndeshje e vështirë. Të gjithë lojtarët janë mjaft të motivuar dhe shpresojnë që ta vijojnë me rezultate të mira dhe ta kalojnë dhe këtë pengesë. Atmosfera në grup është pozitive, ndaj të gjithë kanë besim se do t’ia dalin. Kohë për relaks nuk ka, pasi kalendari është një “malore”. Pas Laçit, Teuta udhëton në transfertën me Tiranën e më pas e mbyll sezonin më Durrës ndaj Egantias.