Një fitore dhe 7 barazime në 8 ndeshje të luajtura. Shenja “X” është kthyer padyshim një bezdi për Teutën, pasi është e vërtetë që mbetet e vetmja skuadër e pamposhtur në kampionat, por për një ambicie të madhe si titulli duhen pikët që i garanton vetëm fitorja.

Edi Martinit në këtë fazë të parë i duhet të gjejë mbi të gjitha golat, që shpresohej të vinin me bollëk, edhe falë investimeve të mëdha që u kryen në merkato pikërisht në fazën sulmuese. Teuta krijon volum loje, por del me vështirësi te goli, një problematikë që duhet zgjidhur sa më shpejt për të mos kompromentuar sezonin.

Në misionin për të rikthyer sulmuesit te finalizimi dhe kaluar një ngërç ndoshta edhe psikologjik, bregdetarëve përveç 6 ditëve të pauzës nga njëra ndeshje në tjetrën, një luks i vërtetë në një kampionat anormal si ky, i vjen edhe kalendari.

Teuta shkon këtë të shtunë në Fier për t’u ndeshur në transfertë me Apoloninë, ndërsa mesjavën e ardhshme pret në shtëpi Skënderbeun. Duken kundërshtarët ideale për të bërë kthesën duke i dhënë fund barazimeve, ndonëse natyrisht në fushë asgjë nuk mund të jetë e lehtë, por në fakt bëhet fjalë në fakt për dy mbrojtjet më të dobëta të kampionatit.

Apolonia që vjen pas disfatës 3-0 të pësuar në kryeqytet dhe ka shënuar edhe humbjen më të thellë këtë sezon duke u ndëshkuar plot 6 herë nga Laçi, në total ka pësuar 18 gola në këtë kampionat me një mesatare prej 2.25 golash për ndeshje, ndërkohë që edhe Skënderbeu, pavarësisht atij barazimi me fat që mori në ndeshjen hapëse të kampionatit, ka mbrojtjen e dytë më të keqe me 14 gola të pësuar, ndaj për Teutën fitorja ndaj dy vendeve të fundit të klasifikimit është më tepër se detyrim.