FIFA ka publikuar sot oraret dhe stadiumet zyrtare të ndeshjeve për Kampionatin Botëror 2026, që do të zhvillohet në Shtetet e Bashkuara, Kanada dhe Meksikë.
Në listë përfshihen edhe përballjet e Grupit F, ku Shqipëria mund të bëhet pjesë nëse siguron kalimin përmes fazës “play-off”.
Sipas njoftimit, oraret do të jenë të papërshtatshme për Europën, për shkak të diferencës prej gjashtë orësh me Amerikën Lindore.
Ndeshja e parë, ajo ndaj Tunizisë, është planifikuar të zhvillohet në Monterrej të Meksikës më 14 qershor, në orën 22:00 sipas orës lokale, që përkon me orën 04:00 të mëngjesit më 15 qershor në Shqipëri.
Sfida e dytë, ndaj Holandës, do të luhet më 20 qershor në Hjuston të SHBA-së në orën 13:00 sipas orës lokale, që përkon me orën 19:00 në Shqipëri.
Ndërsa ndeshja e tretë, ndaj Japonisë, do të zhvillohet më 25 qershor në Dallas në orën 19:00 sipas orës lokale, që përkon me orën 01:00 të datës 26 qershor në Shqipëri.





