Tetë pikë në shtatë ndeshje të luajtura deri më tani janë larg pritshmërive për Teutën. Pas largimit të trajnerit Diego Longo, klubi riktheu në stol për herë të pestë në këto 15 vitet e fundit rekordmenin Edi Martini, i cili ka fituar gjithçka në krye të durrsakëve. Pas periudhës afro 2-javore pa kampionat, stafi teknik i Teutës e ka shfrytëzuar këtë për të punuar sa më shumë në aspektin taktik dhe natyrisht atë psikologjik. Kalendari i Superiores në vijim i rezervon ekipit durrsak tri përballje “bombë”, pikërisht me klubet e kryeqytetit. Fillimisht këtë të diel Teuta luan ndaj Dinamos në “Elbasan Arena”, ndërsa më 28 tetor, edhe pse në kalendar është pritëse, do të luajë kundër Partizanit në stadiumin “Arena e Demave”, duke qenë se dy klubet kanë bërë shkëmbimin e fushave.
Kësisoj, ndeshja e prapambetura e javës së parë, që në kalendar ishte Partizani-Teuta, do të zhvillohet në muajin nëntor në Durrës, me datën që mbetet për t’u konfirmuar nga FSHF-ja. Mirëpo, pas dy ndeshjeve ndaj Dinamos dhe Partizanit, ekipin durrsak e pret përballja me Tiranën në kryeqytet më 1 nëntor. Pra, tri ndeshje radhazi në transfertë me klubet e kryeqytetit, duke pasur një “malore” të vërtetë në kalendar.“Djemtë e Detit” kanë vijuar përgatitjet me një stërvitje ku trajneri Martini ka punuar më shumë nga ana taktike me skuadrën. Seanca e djeshme filloi me përgatitësin atletik, Mark Dodaj, ndërsa më pas Martini udhëhoqi ekipin, ndërsa ra në sy që repartet punuan të veçuara. Mbrojta është sektori që po merr vëmendjen më të madhe.
Të paktën kjo u kuptua edhe dje, ndërsa trajneri kërkonte më shumë qarkullim topi, vertikalizime dhe inkursione nga lojtarët anësorë. Martini pret që skuadra të gjejë rezultatet e munguara, duke filluar nga përballja me Dinamon. Si asnjëherë më parë në këtë sezon, grupi është i plotë dhe lojtarët që i janë bashkuar me vonesë skuadrës në merkato e verës si qendërmbrojtësi Albi Alla. Trajneri Martini ka zhvilluar dje edhe një analizë të shkurtër me ekipin. Ai është munduar që të mobilizojë grupin dhe hapur ka kërkuar reflektim për ndeshjen e radhës. Ndaj Dinamos skuadra duhet të kthehet te fitorja, por kjo mbetet për t’u parë në fushë të dielën. Nuk përjashtohet mundësia që kreu i pankinës të bëjë disa ndryshime në formacion ndaj Dinamos.