Pak ditë para mbylljes së vitit, regjisori dhe producenti, Petri Bozo prezantoi kalendarin Miss Shqipëria 2025.

I kthyer në traditë të përvitshme, ky kalendar promovon kulturën, turizmin dhe artin përmes më të bukurave të vitit që lamë pas.

“Mirëserdhët në edicionin e 23-të të kalendarit zyrtar të Miss Shqipërisë. Nuk ka asgjë komerciale në këtë kalendar që promovon jo vetëm bukurinë shqiptare nga vajzat finaliste të Miss Shqipërisë 2024, që pozojnë dhe do të shoqërojnë gjithë shqiptarët në 2025, por edhe të gjithë pjesën e turizmit shqiptar, kulturës, agrikulturës të gjithçkaje që ka si binom ky kalendar që ndodh prej 23 vitesh”, – tha Petri Bozo.

Vajzat u përzgjodhën nga megaeventi “Miss Shqipëria 2024” për të zbukuruar faqet e kalendarit të ri brenda dhe jashtë kufijve të vendit.

Në këtë eveniment morën pjesë bashkëpunëtorë dhe miq të shumtë të Miss Shqipëria ndër vite.

Pjesëmarrësit patën mundësinë të rishohin edhe kalendarët e “Miss Shqipëria” ndër vite me vajzat më të bukura që kanë dalë nga gjiri i këtij spektakli.