Me siguri keni dëgjuar për kalendulën, lulen që përdoret gjerësisht në kozmetikë dhe që ka veti të shumta mjekësore. Ajo përdoret gjithashtu në buqeta të ndryshme dhe si lule dekoruese. Por kujdes kur e dhuroni, sepse kuptimi i saj është në kontrast me vetitë e dobishme.
Nëse nga një anë kalendula tregon dashuri, ajo mund të përfaqësojë dashuri të karakterizuar nga një vuajtje e madhe.
Sipas një legjende të lashtë greke, Afërdita që po vuante për shkak të ndarjes nga jeta të të dashurit të saj Adonit, filloi të qante me të madhe dhe lotët e saj që prekën tokën u kthyen në kalendula.

Nga kjo gojëdhënë në fakt kalendula merr simbolikën e dhimbjes, keqardhjes dhe vuajtjes për dashurinë.
Prandaj kini kujdes kur i dhuroni personit të zemrës lule të tilla. Tregohuni dinakë dhe zgjidhni për shembull një tufë me trëndafila dhe vetëm një kalendulë, duke përzier kështu pasionin e madh me shumë pak vuajtje, për gjysmën tuaj.
Termi kalendula rrjedh nga fjala latine calendae, që do të thotë “dita e parë e muajit”.
Lulet e bukura dhe elegante të kalendulës hapen në mëngjes me lindjen e diellit dhe mbyllen kur ai perëndon.
Lulet e thara të kalendules përdoren në vajra esencialë, shampo, sapunë, larës të ndryshëm apo kremra për kujdesin e lëkurës. Ajo përdoret gjithashtu në disa medikamente për shkak të vetive antibakteriale dhe qetësuese që ka.
Elementët e kalendulës ndikojnë në shërimin më të shpejtë të plagëve, ulin kolesterolin, forcojnë venat, mbrojnë stomakun nga ulçerat, qetësojnë dhimbjet menstruale etj.

R.O.





