Më shumë se 150 persona janë shpallur të humbur nga zjarret që shkrumbuan Kaliforninë veriore këtë javë.
Deri më tani janë konfirmuar të paktën 17 persona të vdekur dhe rreth 2,000 ndërtesa të shkatërruar prej zjarreve të cilat shpërthyen të dielën e 8 tetorit.
Një nga qytetet më të prekura është Santa Rosa, që ndodhet në veri të San Franciskos, ku distrikte të tëra janë shkatërruar.
Këto zjarre janë mes atyre më vdekjeprurëse në historinë e Kalifornisë, dhe e kanë çuar tymin deri në jug të San Franciskos, afërsisht 100 km larg. Më shumë se 91,000 shtëpi dhe biznese janë pa energji elektrike.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, do të mbajë një deklaratë rreth fatkeqësisë dhe ka aprovuar që të shpërndahet ndihmë urgjente në vendet e prekura nga zjarri.
Banorët të cilët janë kthyer pas në shtëpitë e tyre e kanë përshkruar situatën sikur vendi të ishte goditur nga një bombë bërthamore.