Autoritetet britanike kanë nisur zbatimin e ligjit të ri që u lejon oficerëve të sekuestrojnë telefonat celularë të emigrantëve të paligjshëm edhe pa kryer arrestim.
Qeveria thotë se masa synon të mbledhë informacione mbi rrjetet e kontrabandës që organizojnë kalimet me gomone drejt Mbretërisë së Bashkuar.
Sekuestrimet do të nisin fillimisht në qendrën e përpunimit të emigrantëve në Manston, Kent, ku është instaluar teknologjia për shkarkimin e të dhënave nga pajisjet.
Oficerët do të mund t’u kërkojnë emigrantëve të heqin rrobat për kontroll, si dhe të verifikojnë nëse fshehin karta SIM. Agjencia Kombëtare e Krimit deklaroi se informacionet nga telefonat mund të përshpejtojnë hetimet ndaj grupeve të trafikut.
Ndërkohë, ministri për Sigurinë Kufitare, Alex Norris, tha se masat e reja synojnë “shkatërrimin sa më shpejt të rrjeteve të kontrabandës”.
Nga ana tjetër, Këshilli i Emigrantëve paralajmëroi se kompetencat duhet të përdoren me kujdes, pasi telefonat janë shpesh një mjet jetik komunikimi për njerëzit vulnerabël.
Ministri për Migracionin, Mike Tapp, tha se telefonat mund të kthehen më vonë, në varësi të rrethanave dhe përmbajtjes së tyre.
Ligji i ri parashikon gjithashtu deri në 14 vite burg për personat që trafikojnë emigrantët, ndërsa ata që kërkojnë pajisje për gomone mund të dënohen deri në 5 vite burg.
Sipas të dhënave zyrtare, gjatë vitit 2025, Kanalin e La Manshit e kanë kaluar 41,472 emigrantë, rreth 5 mijë më shumë se një vit më parë.





