Sherif Kallaku është një nga lojtarët më të mirë te Teuta, por jo vetëm, pasi është më të spikaturit në Kategorinë Superiore.

Në një prononcim të dhënë së fundmi, futbollisti i durrsakëve është shprehur se besojnë te Europa me Teutën, duke thënë se për të ardhmen mendon kalimin në një kampionat të madh në Europë.

“Për fatin e mirë, përgatitësi atletik na ka ndenjur pas. Na ka marrë pas edhe në stadium duke na stërvitur nga 2-3. Më vjen keq që nuk po luajmë futbollin në kampionat, pasi aty duket gjithçka.

Kisha disa ndeshje që nuk po gjeja vetveten, por mendoj se me golat e shënuar dhe me ndihmën e shokëve kam gjetur besimin, por u ndalua futbolli. Europa? Besoj se do kualifikohemi. Kemi një ekip shumë të mirë dhe në ndeshjen me Laçin dhe shikohet nëse jemi aty ku duhet.

Asnjëherë nuk jam i kënaqur me performancat e mia, gjithmonë dua të jap më të mirën dhe të rritem si lojtar.Kalimi te Partizani? Një pyetje shumë e vështirë. Unë dua ta shikoj veten në një kampionat më të fortë në Europë. Unë e kam ndjekur me vëmendjen intervistën e Ramës, nuk më pëlqeu që i quajti futbollistët si fasoneri dhe nëse ne jemi ashtu, çfarë i bie të jetë politika.

Kampionati jonë gjithmonë është në rritje.Kombëtarja? I gatshëm jam gjithmonë, por mendoj se duhet të jap më shumë për të mbërritur atje. Kampion? Jemi përballur edhe me Kukësin dhe me Tiranën, duke marr parasysh renditjen mendoj se bardheblutë janë pretendentët kryesorë.”, u shpreh Kallaku.