Sherif Kallaku po konfirmohet. Mesfushori debutimin në Superiore e ka bërë me gol një sezon më parë me fanellën e Laccit, teksa i shënonte Partizanit. Tanimë pjesë e Teutës, futbollisti i Shpresave ka fituar zemrat e tifozerisë durrsake dhe jo vetëm. Kallaku ka folur gjerë e gjatë, duke treguar “ngacmimet” me portierin Selmani, njerëzit që e motivojnë të ecë përpara në futboll, ëndrrën e madhe dhe idhullin e tij. Ai paralajmëron: “Ende nuk e keni para Kallakun në maksimimumin e tij”.

Sherif, e keni mbyllur vitin në mënyrën më të mirë, duke shënuar një gol që shpëtoi Teutën nga humbja me Laçin. Si e vlerësoni pjesën e parë të këtij sezoni?
Jam shumë i kënaqur për golin, por jo aq për rezultatin. Mendoj që pjesa e parë e sezonit ishte goxha e mirë dhe me pak më tepër fat mund të kishim disa pikë më tepër.

Për ju nuk ishte speciale vetëm që po përballeshit me Laçin, por kishit përballë edhe mikun tuaj Selmanin. I shënuat, por edhe ai ju “shënoi” në fillimin e pjesës së dytë kur ju hoqi mundësinë për të barazuar. E ngacmuat pas ndeshjes?
–Pas ndeshjes më tha që pse nuk ja lashë goditjen dikujt tjetri. Përgjigja ime ishte që qe fati im ta shënoja atë gol.

Ata që ju kanë ndjekur, e dinë shumë mirë se potenciali juaj është më i madh. Një sezon më parë, me fanellën e kurbinasve. keni qenë edhe më mirë. Kur do e shohim Kallakun në maksimumin e tij?
-E di edhe vetë që s’jam në maksimum. Jam i bindur që mund të jap dhe shumë më tepër. Mendoj që me stërvitje, si dhe duke mos u kursyer për ekipin, do vijnë dhe paraqitje më të mira.

Emri juaj në media po lakohet shumë, vlerësimet janë të shumta. Si po e përjetoni këtë periudhë?
-Ky fakt më bën të ndihem mirë dhe njëkohësisht me rrit përgjegjësinë të mbaj, por pse jo edhe të rris më tepër nivelin e lojës. Nuk dua të zhgënjej askënd, sidomos njerëzit që më rrinë pranë.

Për ata që nuk ju njohin, na tregoni për hapat e parë në futboll. Keni qenë pjesë e disa ekipeve me moshat…
Kam qene pjesë e moshave tek Iliria për 7 vite, ndaj edhe gjej rastin të përshëndes dhe profesor Dash Cangun. Më ka mbështetur shumë kur isha i vogël. Me pak kalova tek Olimpiku me profesor Ardian Memën, pastaj një vit me Tiranën. Më vonë 6 muaj me Partizanin dhe te Akademia e Futbollit, në atë kohë me profesor Nevil Deden. Kremoneze ishte ekipi im i fundit me moshat.