Sherif Kallaku e ka festuar në mënyrën më të mirë të mundshme ditëlindjen e tij pasi në ditën e shënuar shënoi dy golat e fitores 2-0 ndaj Kukësit në Kupën e Shqipërisë. Një sukses i rëndësishëm edhe për vetë lojtarin i cili po kthehet në nivelet më të larta me të cilat kishte mësuar.
“Nuk ka dhuratë më të bukur se të shënosh dy gola në ditën e ditëlindjes. Dhurata ime më e bukur është vajza, por jam i lumtur edhe për fitoren. Ambientimi i një lojtari mund të jetë pak më i vështirë në vende të tjera. Këtu jam si në shtëpinë time.
Te Partizani ndoshta prisnin të lulëzoja për dy javë, por mendoj që edhe lojtari do kohën e vet. Këtë nuk e them për justifikim se gjithmonë marr përgjegjësitë e mia sidomos kur jam dobët dhe nuk kam frikë të them se Kallaku nuk ka qenë si ka qenë më parë. Por ul kokën dhe punoj pasi futbolli është i pamëshirshëm, koha kalon shumë shpejt për ne.
Gjatë goditjes së dënimit, u afrua Marku, se ai ka goditur gjithmonë nga distanca të largëta. I thashë që kam një muaj qe e pres këtë goditje dhe dëshiroja ta gjuaja sot. Kisha shumë dëshirë ta shënoja, seriozisht, e kam praktikuar shumë”, shpjegoi Kallaku.