Sherif Kallaku është bërë pjesë e Teutës për herë të tretë. Fantazisti është larguar në mënyrë të papritur nga Tirana në merkaton e janarit, për t’u kthyer te durrsakët. Një largim “enigmë” për të cilin ai është zotuar se nuk do të tregojë kurrë arsyen reale pse ndodhi.

“Të dielën besoj se do jem pjesë e skuadrës. Kam zgjedhur numrin me të cilin e kam nisur në Superiore, 59. Nuk ia marr 10-ën Vilës. Shpresoj që ta nis si në fillimet e mia të para.Normalisht që do të doja shumë të isha në fushë, por jam i kënaqur me paraqitjen e ekipit se mendoj se bëjmë një paraqitje të mirë. Edhe pse pësuam gol, ekipi nuk u demoralizua dhe reagoi menjëherë. Ka edhe një ndeshje tjetër, shpresojmë që ta kalojmë.Qëllimi është që Teuta të shkojë sa më lartë dhe shpresoj të jem fat me Teutën dhe të rigjej veten, të shkoj aty ku kam qenë më përpara.

Për çfarë ka nevojë Teuta?

Mendoj vetëm për shpirtin e garës, sepse me cilësitë dhe kampionati, nuk ka shumë diferenca. Shpresoj nga unë i pari e deri te i fundit të çojmë Teutën ku e meriton.Unë Tiranës i uroj shumë sukses dhe i falënderoj të gjithë çunat bashkë me trajnerit Shehi pasi kam kaluar 6 muaj shumë të bukur. Pavarësisht largimit tim enigmë mund ta them, që nuk do e tregoj kurrë në media, shpresoj që Tirana të shpallet kampione se me të vërtetë e meritojnë të jenë kampionë.

Lushkja te Tirana?

Regin e kam shumë shok, e kam pasur në skuadër te Laçi, është një futbollist shumë i mirë. Shpresoj që të japë një paraqitje sa më të mirë aty dhe të iki përsëri aty ku ishte.

Mungesa e golave?

E kam thënë që unë kam hyrë disi në presion për çështjen e golit se dëshiroj shumë të bëj të tillë. Por e kam kuptuar që goli nuk vjen me zor, ndaj tani më mjafton të fitojë skuadra”, tha Kallaku.