Në kuadër të operacionit policor të koduar “Entrance” janë arrestuar 2 të rinj në Elbasan pasi në makinën me të cilën ata po udhëtonin u gjet 1 kallashnikov dhe 114 fishekë luftarakë.

Konkretisht, është arrestuar shoferi i makinës tip “Audi”, 21-vjeçari me iniciale S.M. dhe pasagjeri 22-vjeçar me iniciale A.M., të dy banues në Divjakë.

Njoftimi i policisë:

Në kuadër të operacionit “Entrance”, në hyrje të qytetit të Elbasanit, u lokalizua dhe u ndalua për kontroll, automjeti tip “Audi”, me drejtues shtetasin S. M., 21 vjeç, dhe ku ishte pasagjer shtetasi A. M., 22 vjeç, të dy banues në Divjakë.

Në këtë automjet u gjet 1 armë zjarri kallashnikov dhe 114 fishekë luftarak që dyshohet se posedoheshin me qëllim trafikimin drejt RMV-së.

Në përfundim të veprimeve procedurale u arrestuan në flagrancë të 2 shtetasit, si dhe u sekuestruan arma e zjarrit dhe municioni.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.