13 korrik 2015 – Tri rrugë të njohura në lagjen e vjetër të qytetit të Durrësit po shtrohen me çimento-beton, imitim i kalldrëmeve me të cilat ishte shtruar kjo zonë para një gjysmë shekulli.

Bashkia e qytetit ka akorduar afro 5.5 milionë lekë për rikualifikimin e kuartallave në rrugët “Mustafa Varoshi”, “Kumini” dhe “Petraq Boshnjaku”, që bëjnë pjesë në infrastrukturën e lagjes 11, prapa teatrit “Aleksandër Moisiu”.

Punonjësit e firmës që ka fituar tenderin po punojnë për shtrimin e pjesës së dytë të rrugës “Mustafa Varoshi”, ndërsa ka përfunduar shtrimi me kalldrëm të imituar në pjesën e parë të kësaj rruge. Punimet kanë nisur në filim të muajit qershor dhe përfundimi i tyre është parashikuar më 4 gusht të këtij viti.

Kalldrëmi – imitim është përdorur për herë të parë në Durrës në vitin 2005, kur Këshilli i Qarkut investoi thuajse të njëjtën shumë për shtrimin e disa rrugëve të tjera në zonën e amfiteatrit dhe të katedrales katolike “Shën Luçia”. Që prej 10 vjetësh, ky investim i ka rezistuar me shumë sukses kohës, duke krijuar një atmosferë të hershme në lagjet e vjetra të qytetit antik.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/