Tiranë, 18 korrik 2014 – Kallëzohen penalisht në prokurori, ish-drejtori i përgjithshëm i policisë së shtetit Hysni Burgaj dhe ish-zëvëndësi i tij Agron Kuliçaj, për akuzën e “shpërdorimit të detyrës“ në bashkëpunim. Lajmi konfirmohet nga burime zyrtare pranë Ministrisë së brendshme dhe Prokurorisë së Përgjithshme.

Sipas këtyre burimeve, mësohet,se kallëzimi penal është bërë nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, që tashmë ka regjistruar nisjen e hetimeve ndaj dy ish-zyrtarëve të lartë. Kjo vepër, sipas kallëzimit, është konsumuar nga Burgaj e Kuliçaj, pasi nuk zbatuan urdhërin e prokurorisë për arrestimin e 6 drejtuesve të Gardës së Republikës, 48 orë pas vrasjes së demonstruesve të 21 janarit 2011. 

Këto urdhëra u lëshuan 48 orë pas ngjarjes, ku mbetën të vrarë 4 demonstrues dhe u plagosen disa të tjerë nga plumbat e efektivëve të Gardës së Republikës. Gjithashtu, në kallëzimin e tyre, policia kërkon të hetohen edhe ata prokurorë, të cilët nuk ndoqën penalisht dy ish-zyrtarët e policisë, për mos zbatimin e urdhërit për arrestimin e Gardistëve. 

Arsyetimi i dhënë në atë kohë nga policia, për mos zbatimin e këtyre urdhërave, ishte se në shkresat e dërguara nga prokuroria, kishte gabime drejtshkrimore. Këto urdhëra, pavarësisht kërkesës së përsëritur të prokurorisë për zbatim, nuk u ekzekutuan nga policia. Policia ka shoqëruar kallëzimin, me të gjitha shkresat materiale dhe korespondencën e mbajtur në atë kohë mes policisë dhe prokurorisë për ngjarjen e vitit 2011. 

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/