Tiranë, 28 prill 2014 – Ish-të përndjekurit politikë kanë bërë një kallëzim penal për ish-kryeministrin Sali Berisha dhe për ish-drejtues të policisë. Sipas ish-të përndjekurve, ky kallëzim është bërë për grevën e urisë të vitit 2012.
Përfaqësues të ish-të përndjekurve që kanë bërë kallëzimin penal kanë deklaruar se “tre persona prishën grevën e tetorit 2012”.
Padia është depozituar në organin e akuzës dy vjet pas grevës së urisë që një grup ish të përndjekurish nisën në një ambient të hapur në zonën e njohur si “Komuna e Parisit”.
Kreu i shoqatës së ish të përndjekurve Skënder Tufa akuzoi të kallëzuarit në Prokurori se kanë dhunuar ish-burgosurit politikë në të drejtën e tyre për të zhvilluar një grevë normale.
Tufa deklaroi se Shoqata e ish të Burgosurve politikë ka pritur dy vjet që ky kallëzim të bëhej nga Avokati i Popullit, por kjo gjë s’ka ndodhur. Kallëzimi penal i referohet veprimeve të policisë gjatë grevës të tetorit të vitit 2012.
Kallëzimi i ish-të përndjekurve është edhe për Flamur Nokën, Hysni Burgaj, Agron Kuliqi, E.Breçanin.
Sipas Tufës, Berisha dhe drejtuesit e policisë që sipas tij dirigjoheshin nga ish-kryeministri, duhet të dënohen për presionin ndaj grevistëve dhe për faktin që kanë hyrë në çadrat e urisë duke i marrë ujin dhe ilaçet ish-të burgosurve që ishin bërë pjesë e asaj greve.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





