TIRANE – Një 17-vjeçare u dënua me 200 mijë lekë gjobë nga Gjykata e Tiranës, për një kallëzim të rremë të bërë prej saj  tre vjet më parë. Ajo kishte denoncuar asokohe në Polici sikur tre meshkuj kishin kryer marrëdhënie seksuale me të në mënyrë të njëkohshme. Pretendimet e minorenes, atëkohë 14 vjeçe, ishin hetuar nga organet hetimore dhe në përfundim kishte rezultuar se gjithçka kishte qenë fantazi e saj. “Protagonistja” e historisë është e pandehura me iniciale K.S., e cila pak ditë më parë u shpall e fajshme për akuzën e “kallëzimit të rremë”. Referuar vendimit të Gjykatës, në maj të vitit 2010 K.S. ka bërë një kallëzim penal në Drejtorinë e Policisë Tiranë kundër tre personave.

Ajo i akuzonte ata për “marrëdhënie seksuale me të mitura” në dëm të saj. Përpara oficerëve, e mitura ka pretenduar se dy ditë para kallëzimit, kishte dalë për të festuar ditëlindjen e shtetasit Albi M. bashkë edhe me dy djem të tjerë, Endri D. dhe Eni S. në një nga lokalet e Tiranës. “Sipas së pandehurës, pasi kanë mbaruar darkën, në kthim shtetasit Endri D., Albi M. dhe Eni S. kanë kryer marrëdhënie seksuale me të. Nga hetimet e zhvilluara rezultoi se tre shtetasit e lartpërmendur nuk janë autorë të veprës penale për të cilën i akuzon e pandehura”, thuhej në vendimin e Gjykatës.

Po sipas vendimit, e mitura ka rrëfyer në Polici se mbrëmjen e ngjarjes ka qenë në shtëpi dhe se shtetasi Albi M. e ka marrë në telefonin celular të babait të saj dhe i ka thënë për të dalë. “Por, nga tabulatet telefonike të telefonave celularë të tyre nuk ka thirrje ndërmjet këtyre numrave”, argumenton Gjykata në vendim. Më pas, Gjykata pohonte se “gjatë hetimit, e pandehura ka ndryshuar thëniet duke thënë se telefonata i është bërë nga numri telefonik i shtetasit Ervin M., por këto telefonata nuk përputhen me orët që shpjegon e pandehura. Gjithashtu e pandehura i referohet festimit të ditëlindjes në Tiranë, ndërkohë që qelizat e numrit të saj, ndodhen në Marikaj, Vorë”. Po sipas Gjykatës, e pandehura nuk ishte mjaftuar me kallëzimin e rremë, por kishte vijuar të servirte fakte të gënjeshtërta për Policinë edhe në kohën që çështja ishte në hetim.

“Në kohën që çështja ka qenë në hetim, me qëllim vazhdimin e hetimeve në ngarkim të shtetasve të kallëzuar, pasi ikën nga banesa pa lejen e prindërve me një djalë të panjohur, duke qenë ndërkohë në plazh me këtë djalë, e pandehura K.S. i dërgon një SMS babait të saj, duke i thëne se e kishte marrë me forcë shtetasi Albi M.”, thuhej në vendimin e Gjykatës.