Lëvizja “Vetëvendosje” ka dorëzuar në Prokurorinë Speciale një kallëzim penal ndaj presidentit të Kosovës Hashim Thaçit, duke e akuzuar atë për “Shkelje të rëndë” dhe “Tradhti ndaj vendit” në çështjen e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, shkruan sot gazeta “Zëri”.
Deputetja e “Vetëvendosjes”, Albulena Haxhiu, ka konfirmuar para gazetarëve se në mëngjesin e së enjtes kanë dorëzuar kallëzimin penal. “Sot në mëngjes ne si subjekt politik kemi deponuar në Prokurorinë Speciale kallëzimin penal kundër Hashim Thaçit për shkak të veprës penale ‘Tradhti ndaj vendit’”, ka deklaruar Haxhiu.
Ajo më tej ka thënë se ka dyshim të bazuar se me veprimet e ndërmarra në cilësinë e presidentit Thaçi ka kryer veprën penale të paraparë në Nenin 124, paragrafi 2 të Kodit Penal të Kosovës.
“Para vetës kam Nenin 124, paragrafi 2 të Kodit Penal të Kosovës dhe më lejoni që këtu para jush ta lexoj atë. Tradhtia ndaj vendit është Neni 124, kushdo që në cilësinë e presidentit të Kosovës nënshkruan marrëveshje ndërkombëtare ose ndonjë akt me të cilin pjesë të territorit të Kosovës jepen apo lihen nën sovranitetin e ndonjë shteti tjetër dënohet së paku me 15 vjet apo me burgim të përjetshëm”, ka thënë më tej Haxhiu…