Kryetari i Lipjanit, Imri Ahmeti ka deklaruar se 400 kg kokainë që u kapën dy ditë më parë nuk kishin si destinacion komunën që ai drejton.
Ai thotë se sasia e kapur është dukuri e keqe për gjithë Kosovën, pasi kur kalon kufirin nuk ka rëndësi nëse është në Lipjan, Prishtinë apo kudo tjetër.
“Kjo është dukuri e keqe për të gjithë Kosovën, për të gjithë vendin, jo vetëm për Lipjanin. E keqja është se s’është dashur fare të lejohet të hyjë në kufi, sepse kur hyn në kufi, është pak e rëndësishme a është në Prishtinë, a në Lipjan apo ku është. Shumica e qytetarëve e kanë marrë me batuta. Megjithatë të gjithë janë të vetëdijshëm që ky është një aksion më i gjerë, më i koordinuar siç janë deklaruar tashmë edhe prej DEA-s në SHBA atje e të tjerat në Kosovë”,- tha Ahmeti.
400 kg kokainë ishin futur në një konteiner dhe ishin kamufluar në pako me mish nga Brazili. Pikërisht origjina e drogës ishte nga vendi amerikano-latin që më pas zbarkoi në Itali, në Durrës të Shqipërisë dhe në fund u kap në Lipjan të Kosovës, edhe gjitha nën vëzhgim të autoriteteve dhe me informacione nga DEA.





