Gjyqtari Astrit Faqolli kalon Vettingun. Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ditën e sotme e ka konfirmuar në detyrë gjyqtarin e Tiranës. Pas vlerësimit në tre shtyllat e Vettingut, komisioni i KPK e cilëson si të përshtatshëm gjyqtarin për të vijuar detyrën. Vendimi i zbardhur do të publikohet në faqen e KPK pas 15 ditëve.
Pas seancës dëgjimore në datën 23 korrik, u ngritën shumë pikëpyetje nëse do të rikonfirmohej në detyrë. Kjo pasi, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit bëri me dije se gjyqtari nuk kishte deklaruar 2 llogari bankare të bashkëshortes, ndërsa gjithashtu kishte shkelur ligjin duke e plotësuar deklarimin e tij me lekë të vjetra.
Ndërkohë që në raportin e DSIK (Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar) thuhej, sipas KPK se Faqolli është i papërshtatshëm për të qenë gjyqtar. Deklarimet u hodhën poshtë nga avokati mbrojtësi i gjyqtarit, ndërsa pas shqyrtimit të dokumenteve, sot Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendosi që ta konfirmonte në detyrë.





