Komisioni i Pavarur i Kualifikimit konfirmoi në detyrë prokurorin e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Klodian Braho, i cili njëkohësisht është edhe kandidat për SPAK.   

KPK nuk i gjeti probleme me pasurinë, profesionalizmin dhe integritetin e prokurorit Braho, por që vendimi të jetë i formës së prerë duhet pritur edhe veprimi i Komisionierit Publik nëse ai do ta ankimojë ose jo në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, vendimin e dhënë sot nga KPK.

Klodian Braho ka mbaruar Shkollën e Magjistraturës në vitet 2005-2008 dhe më pas është emëruar prokuror në Berat. Në vitin 2012, Braho u transferua në Prokurorinë e Vlorës ku mbajti edhe postin e zv.drejtuesit, ndërsa në vitin 2015 u dekretua në Prokurorinë e Krimeve të Rënda. Paralelisht me punën si prokuror, Braho është angazhuar edhe në mësimdhënie apo si ekspert në Shkollën e Magjistraturës.