Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka ekzekutuar vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës për caktimin e masës së sigurimit “Arrest me burg” për punonjësin e policisë, Inspektorin 57-vjeçar Njazi Rexhepi, me detyrë Kontrollor në Stacionin e Policisë P.K.K. Port Durrës, pranë DVKM Durrës.

Nga hetimet e kryera, rezulton se inspektor Rexhepi lejonte hyrje-dalje të shtetasve që kishin ndalesa për udhëtimin në zonën Shengen, në këmbim të vlerave monetare, të cilat varionin nga 50 deri në 100 Euro.

Këto ndërveprime korruptive të dokumentuara gjatë hetimeve, kryheshin në mënyrë të vazhdueshme dhe të përsëritur, përfshirë edhe raste të lejimit të kalimit të shtetasve të shpallur në kërkim nga organet e drejtësisë, apo automjeteve, pa iu nënshtruar regjimit doganor.

57-vjeçari dyshohet për kryerjen e veprave penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Shpërdorim i detyrës”.

Gjithashtu, në funksion të këtij procedimi penal, Gjykata e Shkallës së Parë Durrës ka caktuar masën e sigurimit personal “Detyrim paraqitje në policinë gjyqësore” për 25-vjeçarin E. S., i dyshuar për veprën penale të “Korrupsionit aktiv ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”. Nga hetimet e kryera, ka rezultuar se ky shtetas, ka kryer ndërveprime korruptive me punonjësin e policisë Njazi Rexhepi.

Hetimet vazhdojnë për zbulimin e personave të tjerë të përfshirë në ngjarje.