Një 61-vjeçare në Vergato, provincë e Bolonjas në Itali është arrestuar nga policia pasi kishte rrahur keq të dashurin, i cili përfundoi në spital për t’u mjekuar nga plagët e marra në fytyrë.

Shkak për zënkën mes çiftit ishte bërë fakti se burri kalonte shumë kohë në internet gjatë natës  Për t’i shpëtuar zemërimit të të dashurës së tij dhe për të mos marrë grushta të tjera, burri u mbyll në banjo dhe pikërisht nga aty e kanë gjetur edhe karabinierët, të cilët mbërritën në shtëpinë e çiftit.

Vetëm policët arritën të neutralizojnë zemërimin e gruas, e cila po përpiqej madje të shqyente derën, duke përdorur për këtë mobiljen e televizorit. Kur karabinierët mbërritën në mbrëmje në banesën e çiftit, burri ishte plagosur në fytyrë, ndërsa gruaja kishte për qëllim të vazhdonte rrahjet.

Zemërimi i gruas, sipas shpjegimit të saj në polici, kishte ardhur pasi bashkëjetuesi i saj lundronte fshehtas në një faqe interneti që asaj nuk i pëlqente. Burri u dërgua në urgjencë për të kuruar plagët e marra, të cilave iu deshën 8 ditë për t’u shëruar, ndërsa gruaja u arrestua.