Ajet Patozi, emigrant në Greqi, tregon historinë e tij të pazakontë të marrjes së djalit 3 – vjeçar nga gjyshërit e së ëmës, me dokumenta të falsifikuara.
Pas një sëmundjeje të rëndë, bashkëshortja e Ajetit, Ina ndërron jetë. Pas funeralit, prindërit e të ndjerës nuk lejojnë që Ajeti të marrë djalin e tij, Aleksadron me pretendimin se do ta rrisnin ata në Berat. Edhe pas kalvarit në polici e gjykatë, Ajet Patozi nuk mund të marrë të birin. Gjatë këtij procesi ai mësoi se certifikata e djalit ishte falsifikuar e po kështu raporti i psikologes.
“Në Dhjetor të vitit 2013, dy muaj pas njohjes mora vesh që Ina kishte ngelur shtatzënë dhe vendosi që të vinte pranë familjes se shtatzënia e saj ishte pak e vështirë. Pas 3 – 4 muajsh morëm vesh që Ina ishte e sëmurë nga sëmundja e keqe. Shpresat ishin shumë të pakta sepse sëmundja kishte avancuar aq shumë sa kishte prekur disa pjesë të trupit. Fëmija lindi 7 muaj e gjysmë. Pasi lindi ALeksandro, Ina vazhdoi në ndikim më të shpejtë të kimioterapisë, por shpresat e saj sa vinin e ishin më të vogla. Ajo u nda nga jeta në Tetor të vitit 2015.”
I ati i Inës ka telefonuar të atin e Ajetit për t’i kërkuar një takim me nipin para se të shkonin në Greqi, por pas pranimit të këtij të fundit nisën edhe problemet mes familjeve. Ajeti së bashku me prindërit e tij tregojnë se prindërit e bashkëshortes i kërcënuan se nuk do t’ua kthenin më fëmijën, ndaj iu drejtuan proceseve ligjore.
“Ikni dhe te Zoti lart tha, nuk e merrni dot”, përsërit fjalët e vjehrrit, i cili më pas në polici ka kërkuar që të mund ta mbajnë nipin deri në të 40-at e së bijës. Ajeti nuk pranoi, por policia nuk kishte të drejtë ligjore për ta ndaluar, pasi duhej të posedonin vendim të prokurorisë. Por më pas prokuroria e referoi çështjen në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Berat.
Avokati i familjes Patozi shprehet se i janë drejtuar gjykatës me kërkesë – padinë për “kthimin e fëmijës dhe ushtrimin e përgjegjësisë prindërore”, por gjatë zhvillimit të seancave gjyqësore janë përballur me kundërpadinë e familjes së bashkëshortes së tij të ndjerë, të cilët kërkonin heqjen e përgjegjësisë prindërore të Ajetit dhe caktimin e gjyshes së të miturit si kujdestare ligjore.
“Në këtë moment gjykata nuk duhet ta kishte pranuar kërkesë – padinë, pasi nuk jemi përpara faktit të ndarjes së një pasurie të paluajtshme, por kemi të bëjmë me një fëmijë të mitur, i cili nuk është pronë e gjyshërve.”
Seanca gjyqësore është shtyrë për rreth 28 herë, pasi mungonte ekspert – psikologu, të cilin në seancën e fundit është urdhëruar të sillet me forcë. Më pas gjyqtarja Matilda Llangozi ka vendosur pranimin e pjesshëm të paditësit Ajet Patozi, si dhe vijimin e qëndrimit të fëmijës Aleksandro me gjyshërit e tij nga nëna, Kujtim dhe Drita Tana, bazuar në interesin më të lartë të fëmijës. Gjithashtu ka vendosur që i padituri Patozi ka të drejtë të takojë fëmijën e tij të dielën e parë të çdo muaji nga ora 10:00 deri në orën 15:00, në prezencën e gjyshit të tij, Kujtim Tana.
Gazetari i emisionit “STOP” i drejtohet Bashkisë Berat për të komunikuar me nëpunësen e Gjendjes Civile, Afërdita Gurin, se përse ka lëshuar një certifikatë për Aleksandron, i cili nuk e ka vendlindjen Berat.
Afërdita Guri – Ajo certifikatë ka dalë nga zyra jonë dhe në bazë të ligjit të Gjendjes Civile, certifikatë mund të printojë përderisa është punonjëse. Ka ndonjë … ? Më thuaj! Ka ndonjë të dhënë?
Gazetari – Po si printon se thotë këtu: Gjendja Civile Berat.
Afërdita Guri – Po, po! Berat! Ja, ta shikojmë.
Gazetari – Po ka sjellë pasoja kjo për gjyqin. Më kupton?
Afërdita Guri – Kush tha?
Gazetari – Po, unë them pra se kam vendimin.
Afërdita Guri – Nuk e di, çfarë pasoje? Ti mund të ankohesh.
Gazetari – Pasoja pra, ia kanë marrë fëmijën atij tani.
Afërdita Guri – Po! Ia kanë marrë. E di.
Gazetari – E ditke, qenke në brendësi. Ndoshta e ke tëndin këtë, që ia u ke lëshuar.
Afërdita Guri – Jo! As s’i njoh fare.
Gazetari – Je thërritur nga prokuroria për këtë çështje ti?
Afërdita Guri – Jo!
Gazetari – Fare ëë?
Afërdita Guri – Fare!
Gazetari – Zonjë! Të lutem! Do na e sqarosh pak, si e ke lëshuar certifikatën e fëmijës?
Afërdita Guri – Ka mundësi?
Gazetari – Të lutem! Na sqaro!
Afërdita Guri – Jam tek zyrat e pasaportave.
Gazetari – Po, mos hyr!
Afërdita Guri – Po kam punë tani, të lutem! Ik tani!
Gazetari – Do na sqarosh pak, të lutem?
Afërdita Guri – Jo! Nuk të sqaroj. Drejtohu në…
Gazetari – Po pse?
Afërdita Guri – Drejtohu në gjykatë! Ik!
Gazetari – Ça të drejtohem në gjykatë unë?! Ti ke falsifikuar dokumentin.
Afërdita Guri – Ik tani!
Gazetari – Jo e di, po hyri këtu zonja. Duhet të hyjë kjo këtu? Është e autorizuar?
Punonjësi – Jo, këtu jo!
Falsifikimi që i ishte bërë certifikatës personale të Aleksandro Patozit u referua edhe pranë Prokurorisë së Rrethit Berat, ku iu caktua prokurorit Gentian Abazaj. Por prokurori e pa të paarsyeshme të hetonte për shpërdorim detyre nëpunësen Afërdita Guri, ndaj pushoi çështjen me justifikimin se Gjykata e Shkallës së Parë Berat nuk e ka konstatuar falsitetin e certifikatës, e cila pati pasojë në vendimarrjen e kësaj gjykate.
Vlerësimi psikologjik nga psikologia Bruketa Zoto, i cili sipas saj ishte bazuar në bisedat klinike me fëmijën dhe intervistat e hapura me familjarët, vlerësimin e kushteve morale dhe materiale të familjeve, vëzhgimin e sjelljes dhe komunikimit jo verbal me të rriturit, ishte shkaku kryesor që gjyqtarja Llangozi vendosi që 3 – vjeçari të qëndronte në kujdestarinë e gjyshërve. Por te ky vlerësim mungon arsimi, numri i diplomës dhe Nipt-i i psikologes. Gazetari i emisionit “STOP” thotë së Brukete Zoto nuk ka analizuar situatën social – ekonomike të të dyja palëve, por ka bërë vetëm një takim dhe ka dalë në këtë konkluzion.
“Fëmijën brenda 2 viteve e kam parë vetëm 1 herë, kur më detyroi psikologia Bruketa Zoto të bënim një takim në shtëpinë e vjehrrit dhe vjehrrës”, shprehet Ajeti. Prindërit e Ajetit kërkojnë drejtësinë që mungon në vendin tonë dhe djali i tyre të marrë fëmijën e tij.
Emisioni “STOP” komunikoi me psikologen Linda Hoxha, e cila tha se duke u bazuar në nenin 225 të Kodit të Familjes, nëse fëmija humb nënën biologjike, automatikisht përgjegjësia prindërore ushtrohet nga i ati. Ndërsa përsa i përket heqjes së përgjegjësisë prindërore, ajo shprehet se ndodh kur prindi është i alkoolizuar, merret me lojëra fati, ndiqet nga ana mjekësore etj.
Psikologia Laureta Toti tregon se është e pamundur që akti i ekspertimit të realizohet vetëm me një intervistë të përbashkët, kur nevojiten 5 deri në 7 intervista, në varësi të rastit.
Por cili do të jetë fati i Aleksandros? Kjo çështje do të rihapet dhe do të jemi në pritje të vendimit të drejtë të gjykatës… /tvklan.al