Një 28-vjeçar është shpëtuar pasi kishte mbetur për 10 orë në det të hapur, pasi të cilit i ishte fikur Jet Ski, gjatë natës, për shkak të një defekti, teksa rrymat detare e zhvendosën 2.5 milje në thellësi.
Miqtë e tij njoftuan policinë, e cila e asistuar nga peshkatarë të zonës, shpëtoi 28-vjeçarin.
Njoftimi i policisë:
Shërbime të Policisë Kufitare të DVKM Vlorë dhe të repartit “Delta”, të pajisura me 3 mjete lundruese dhe të asistuara nga peshkatarë të zonës, kanë organizuar punën dhe kanë dalë menjëherë në det të hapur, për të lokalizuar dhe shpëtuar 28-vjeçarin.
Si rezultat i një operacioni kërkim-shpëtimi që zgjati nga ora 20:00 deri në orën 06:20 të ditës së sotme, në det të hapur, të kryer nga shërbime të specializuara të Policisë, u bë i mundur lokalizimi 2.5 milje në thellësi të detit, dhe nxjerrja në breg, në gjendje të mirë shëndetësore, e 28-vjeçarit.
Për shkak të një defekti, mjeti lundrues Jet Ski që drejtonte ky shtetas, gjatë natës, ishte fikur në mes të detit dhe rrymat detare e kishin zhvendosur atë, në drejtim të ishullit të Korfuzit.
Pas shpëtimit, mirënjohës për ndërhyrjen e menjëhershme dhe profesionale të Policisë, shtetasi K. S. u shpreh: “Falënderoj shumë Policinë Kufitare të Himarës dhe të Vlorës, pasi kam 10 orë që rri në det të hapur, për shkak të një defekti që pësoi motori i ujit, dhe rrymat detare më çuan drejt ishullit të Korfuzit. I falënderoj shërbimet pasi erdhen menjëherë me mjetet lundruese dhe më shpëtuan jetën.”
Shërbimet e Policisë Kufitare ftojnë çdo qytetar/pushues që gjendet në nevojë që lidhet me detyrat funksionale të Policisë së Shtetit, të kërkojë ndihmë, dhe ndërhyrja nga shërbime të specializuara për secilin rast, do të jetë e menjëhershme.