Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha ka zhvilluar pasditen e djeshme një takim në selinë e degës së Durrësit, ku merrnin pjesë drejtues të degës së PD-së së Durrësit, kryesia dhe kryetarët e grup-seksioneve të kësaj dege.
Ky takim, të cilin Berisha e cilëson të rëndësishëm, u zhvillua në frymën e bashkimit të demokratëve të Durrësit dhe të mbarë Shqipërisë, merrnin pjesë, krahas nënkryetarit të PDSH-së Oerd Bylykbashi, antares së kryesisë së PDSH-së Fatbardha Kadiu, kryetarit të PD-së dega Durrës Igli Cara, anëtarit të Këshillit Kombëtar të PD-së Ardian Muka, nënkryetarit të PD-së Erzen Laçi, dhe ish-sekretari i PD-së Luan Hoti dhe ish-nënkryetarit të PD-së Arlind Boshku, i cili është emëruar nga kryesia e PDSH-së sekretar i degës së PD-së së Durrësit.
“Falënderova drejtuesit dhe anëtarët e degës së PD-së Durrës për punën e tyre, në veçanti falënderova z. Luan Hoti për aktin e tij të përgjegjshëm dhe fisnik në kontributin për të bashkuar të gjitha përpjekjet e të gjithë demokratëve të Durrësit për të shpëtuar Durrësin dhe Shqipërinë nga regjimi monist i korruptuar i Edi Ramës, si dhe ftova çdo demokrate e demokrat të Durrësit që të bashkuar të japin kontributin e tyre në këtë moment vendimtar për fatin e demokracisë në Shqipëri”, shkruan Berisha në faqen e tij në Facebook.
Po ashtu në takim mësohet se u diskutua për përgatitjen e protestës të datës 12 nëntor dhe primareve dhe zgjedhjen e kandidatit për qytetar të parë të Durrësit.