Sherif Kallaku konfirmon interesin e disa ekipeve nga jashtë Shqipërisë, por është i rezevuar të thotë emra.
Mesfushorin e kërkojnë në disa vende dhe janë vënë në gjurmët e tij, ai pranon se diçka po “gatuhet” për transferimin e tij jashtë vendit, ndonëse qartëson se është ende nën kontratë dhe janë drejtuesit ata që do të vendosin për të ardhmen e tij.
Gjatë një 21-vjeçari nga Fushë-Kruja analizon sezonin e fundit me durrsakët dhe kërkon si shpërblim, përpara se të largohet, Kupën e Shqipërisë dhe realizimin e objektivit “Europë”.
Si ia keni bërë që ta mbani trupin në formë gjatë kësaj kohe?
Këtë periudhë po mundohem që ta mbaj trupin sa më shumë në formë me stërvitje individuale dhe me program të veçantë për të qenë gati për startin e kampionatit.
Ju duket larg 18 maji për stërvitje individuale?
Normalisht për një futbollist është shumë dy ditë pa stërvitje, jo më gati 2 muaj e gjysmë dhe data 18 më duket e largët.
FSHF propozon rinisjen e kampionatit më 3 qershor. Si e shikoni këtë gjë?
Unë uroj që të miratohet dhe të fillojë sa më shpejt. Kjo është e mirë si për futbollistët dhe sportdashësit.
Jeni pro apo kundër mbylljes së sezonit në këto momente?
Normalisht që jam kundër, pasi mendoj se verdiktet duhet të jepen në fushë dhe jo jashtë saj.
Ku do e shohim Kallakun në qershor, përsëri me Teutën, apo jashtë Shqipërie?
Unë vitin tjetër do të jem jashtë. Kam disa oferta nga Kroacia, Rusia, Turqia, Austria, Polonia, Sllovenia dhe para se të largohem, dua të fitoj diçka me Teutën në këto 10 ndeshje që kanë mbetur. Kupa do ishte diçka shumë e bukur, pasi mendoj se tifozët e Teutës janë të mrekullueshëm dhe dua t’i falënderoj që më kanë mbështetur që ditën e parë që kam ardhur. Gjithmonë do t’i kem në zemër.
Kemi mësuar që ju ka bërë ofertë edhe Tirana. Si qëndron e vërteta?
Nuk mund të flas për këtë çështje. Kërkoj mirëkuptimin tuaj.
Si e shikoni objektivin e Teutës, është i arritshëm?
Siç e thashë pak më lart, Kupa do ishte një arritje goxha e madhe dhe synimi do të jetë sa më lart në renditje.
Me rinisjen e futbollit do të ketë ngjeshje të madhe ndeshjesh, ndërkohë që edhe temperaturat pritet të jenë të larta. Sa torturuese do të jetë kjo për një lojtar?
Normalisht kur të rinisë, do të fillojë me një intensitet goxha të lartë, pasi janë një numër i madh ndeshjesh, në një kohë relativisht të shkurtër. Po nuk besoj që do hasim probleme të mëdha në rendimentin fizik, pasi të gjithë jemi profesionistë. I kemi ndjekur me rigorozitet programet tona stërvitore, qoftë edhe me mjete rrethanore.





