Bill Gates deklaroi se ka qenë “budalla” që ka kaluar kohë me Jeffrey Epstein, duke theksuar se pendohet për çdo kontakt që ka pasur me të. Ai pohoi gjithashtu se email-i që përfshihet në dokumente të publikuara së fundmi nuk i është dërguar kurrë atij.

Bëhet fjalë për një email të korrikut 2013, i shkruar sikur t’i drejtohej vetë Gates-it, me përshëndetjen “dear Bill”, por që në fakt kishte si marrës vetë Epstein-in. Në këtë email, Epstein e akuzon Gates-in se ka injoruar miqësinë e tyre dhe bën referenca për një “sëmundje seksualisht të transmetueshme”, ndërsa pretendon se i ishte kërkuar të siguronte antibiotikë për t’ia dhënë fshehurazi bashkëshortes së tij të atëhershme, Melinda French Gates.

Në një intervistë të dhënë në Australi, miliarderi sqaroi se email-i në fjalë nuk është dërguar kurrë, duke pretenduar se Epstein e kishte shkruar për veten e tij. “Është e qartë se Jeffrey i ka shkruar një email vetes. Ai nuk u dërgua kurrë dhe nuk e di se çfarë kishte në mendje”, u shpreh Gates.

Gates shtoi se pendohet për çdo moment që ka kaluar me Epstein: “Jam një nga shumë njerëzit që pendohen që e kanë njohur”, deklaroi ai.

Duke folur për rrjetin australian 9 News Australia, Gates tha se kontaktet e tij me Epstein ishin të kufizuara vetëm në disa darka. Ai theksoi se nuk e ka vizituar kurrë ishullin privat të Epstein dhe se nuk ka pasur asnjë kontakt me gra. “Sa më shumë fakte dalin në dritë, aq më e qartë bëhet se, edhe pse ky kontakt ishte një gabim, nuk kishte asnjë lidhje me sjellje të tilla”, përfundoi ai.