Deputeti demokrat Tomor Alizoti, përmes një postimi në Facebook, ka zbuluar se ka takuar sot në burgin e Fierit, kolegun e tij të dënuar me një vit burg, Ervin Salianjin.
Me këtë vizitë, Alizoi ka sjellë ndërmend kur ka takuar në burg babain e tij para viteve 1990, teksa thotë se historia po përsëritet.
“Ashtu sikur para viteve 1990, në burg duhet të ishte Enver Hoxha për krimet monstruoze, edhe sot në qelitë e burgut të Fierit duhet të ishte Edi Rama, për vjedhjet, krimet dhe qeverisjen e tij të ndyrë të këtyre dymbëdhjetë viteve”, shprehet ai.
Ndër të tjera thotë se në qeli bashkë me Salianjin ishin edhe “hajdutët e rilindjes”, ndërsa theksoi se ish-deputeti demokrat ishte aty si shembulli më i qartë i një burgosjeje politike.
“Burgosja e tij tregon qartë frikën e pushtetit ndaj tij”, përfundon postimin Alizoti.
Postimi i Alizotit:
Sot isha në burgun e Fierit, paradoksalisht për të takuar kolegun dhe mikun tim Ervin Salianji. Them paradoksalisht, sepse në burg kam qenë vizitor në dy epoka. Para viteve 1990, kur babai im ishte pjesë e armiqve të partisë, dhe sot kur miku im Salianji është shpallur armik i partisë. Është e njejta parti dhe e njejta sjellje. Dhe situata është një deformim.
Ashtu sikur para viteve 1990, në burg duhet të ishte Enver Hoxha për krimet monstruoze, edhe sot në qelitë e burgut të Fierit duhet të ishte Edi Rama, për vjedhjet, krimet dhe qeverisjen e tij të ndyrë të këtyre dymbëdhjetë viteve.
Dhe historia sërish përsëritet e përsëritet, si një këmbanë që bie në veshët e qytetarëve për ndryshim. Sepse në burgun e Fierit, kishte shumë miq të Edi Ramës, investitorë kriminelo-strategjikë që kishin ndarë copa tokash me firmën e Edi Ramës në kembim të votave për partinë socialiste.
Ish drejtorë të lartë që kishin ndarë vjedhjen e parave të taksave të shqiptarëve, me ministrat e Edi Ramës dhe kishin shpenzuar miliona euro për të blerë vota për rilindjen.
Por të gjithë këta ishin shitur nga Edi Rama, në momentin që ishin bërë problem për partinë. Njësoj si në Spaç e Qafë Bari, ku syrgjynoseshin edhe ministrat e Partisë së Punës, sepse në një moment ishin bërë bezdisës për Enver Hoxhen.
E bashkë me ta, byroistët e antarët e Komitetit Qëndror, qëndronin dhe ish-të persekutuarit politikë. E njetja situatë mu rikthye kur takova Salianjin, të burgosur se cenoi qeverisjen e Edi Ramës. Ai ishte në burg bashkë me hajdutët e rilindjes, edhe pse nuk ka menaxhuar asnjë sekondë asnjë shpenzim publik. Ai ishte aty si shembulli më i qartë i një burgosjeje politike. Dhe njësoj si para vitit 1990, ai ishte aty sepse pushteti komandon drejtësinë dhe kush e cënon atë do të shkojë në burg. Salianji do dalë nga qelia e burgut të Fierit ashtu siç dolën nga burgjet komuniste edhe ish-të përndjekurit e Enver Hoxhës. Dhe këtë rradhë, e sigurtë do të jetë që në atë qeli do të shkojë ai që e meriton më shumë, Edi Rama. Ndaj e vlerësoj maksimalisht qëndrimin e mikut tim Salianji, që nga denoncimi i trafikantëve të drogës që qeverisnin policinë, e deri te këmbëngulja për ti qëndruar deri në fund regjimit. Burgosja e tij tregon qartë frikën e pushtetit ndaj tij.