Zëvendëspresidentja Kamala Harris pritet të mbajë sonte fjalimin e saj, ku edhe do të pranojë humbjen në zgjedhjet presidenciale përballë Donald Trump.

Duke cituar dy burime, agjencia e lajmeve Reuters raporton se ajo do të mbajë fjalimin rreth orës 18:00 me orën amerikane.

Po ashtu, Sky News raporton se Harris pritet të telefonojë Donald Trump më vonë për të pranuar zyrtarisht humbjen.

Kandidati republikan Donald Trump u zgjodh presidenti i 47-të i Shteteve të Bashkuara, duke shënuar një rikthim të jashtëzakonshëm.

Me një fitore në Uiskonsin, zoti Trump siguroi 277 vota elektorale nga 270 sa janë të nevojshme për të siguruar presidencën.

Mëngjesin e së mërkurës ndërsa ende po numëroheshin votat, Trump shpalli fitoren në një tubim në Florida.

“Kjo ishte një lëvizje që askush nuk e ka parë ndonjëherë më parë dhe sinqerisht, kjo ishte, besoj, lëvizja më e madhe politike e të gjitha kohërave”, u tha Trump mbështetësve të tij.