Teuta rikthehet te fitorja duke mposhtur me rezultatin 3-1 shqiptarët e Maqedonisë, Vëllazërimin e Kërçovës. Bregdetarët vinin pas dy humbjesh radhazi në këtë përballje dhe kundër maqedonasve ekipi i Shkëmbit ka treguar një nivel të lartë, duke regjistruar fitoren e tretë në gjashtë takime në total.
Protagonisti absolut i takimit ishte sulmuesi i krahut Kamara, që shkëlqeu duke realizuar një dopietë. Ndërkohë, në listën e golashënuesve është edhe Kruja, i cili është kthyer në një lojtar tepër të rëndësishëm në projektin e trajnerit korçar.
“Djemtë e detit” e nisën mjaft mirë ndeshjen duke kaluar të parët në avantazh pas 16 minutash loja me anë të afrikanit Kamara.Teuta luan mjaft mirë në këto minuta dhe në aksionin e radhës të rrezikshëm shënoi edhe golin e dytë me anë të Krujës, që realizoi një gol mjaft të bukur (21′).
Edhe pse në disavantazh të dyfishtë, Vllazërimi nuk dorëzohet dhe rihap ndeshjen, duke shënuar golin e parë kur u mbushën 24 minuta lojë. Ndryshe nga takimet e tjera, në këtë përballje bregdetarët janë tepër solidë dhe efikas në zbritjet në sulm.
Pak para fundit të pjesës së parë, të besuarit e Shkëmbit shënuan edhe golin e tretë me anë të Kamarasë, që shënoi një dopietë duke shkuar të qetë në dhomat e zhveshjes. Pjesa e dytë nisi me shumë ndryshime në formacion, me trajnerët që u dhanë minuta të gjithë lojtarëve të stolit.
Ashtu si në ndeshjet e kaluara, Shkëmbi provoi edhe një modul të ri gjatë pjesës së dytë, por sulmi shpërdoroi në këtë fraksion. Pavarësisht rasteve të rrezikshme nga të dyja skuadrat, pjesa e dytë u mbyll pa gola, me Teutën që mori një fitore morali.
Në këto takime rezultati është në plan të fundit, pasi fokusi është te lojtarët që janë në provë, megjithatë për moralin e skuadrës fitoret janë gjithmonë të rëndësishme. Shkëmbi mori përgjigjet që priste nga mbrojtësi Xheferson Serkeira Santana, por edhe nga Matkoviç dhe Osmanoviç.





