Kamera për të mbikqyrur pikat e grumbullimit të mbeturinave, për të evidentuar qytetarët e papërgjegjshëm. Kjo është një nga iniciativat që pritet të ndërmarrë kryebashkiakja Valbona Sako në javët në vazhdim. “Për të mbajtur një qytet të pastër, nuk mjafton vetëm puna e ndërrmarrjes së Pastrim Gjelbërimit, por duhet kontributi i gjithsecilit”, thotë për DurrësLajm kryetarja e bashkisë. Ajo deklaron se aksioni është pritur mjaft mirë nga qytetarët dhe pastrimi i qytetit do të jetë gjithnjë në fokusin e punës së saj dhe ndërrmarrjeve në varësi të bashkisë.
Krahas aksionit të pastrimit të qytetit ka nisur ndëshkimi i subjekteve private që ndotin ambientin. Në këtë javë të parë, janë marrë masa administrative kundrejt 6 subjekteve, ndërkohë që situata do të vazhdojë të mbahet nën monitorim.
Ditën kur kryebashkiakja nisi aksionin e pastrimit, kreu i PD-së së Durrësit doli në një konferencë për shtyp për të denoncuar ndotjen ambientale të qytetit. Kryebashkiakja Sako ka një apel për strukturat e PD-së lokale për këtë çështje.
Megjithëse vetëm një javë në postin e kryebashkiakes, Sako ka komunikime të vazhdueshme me qytetarët dhe takime të përditshme me ta si në zyrë, ashtu edhe në terren. Një nga problematikat e ngritura prej tyre është edhe ndriçimi i rrugëve apo lagjeve të qytetit. Në shumë zona tashmë ka nisur ndërhyrja.
Në stinën e verës, popullsia e Durrësit rritet ndjeshëm dhe krahas kësaj rritet edhe volumi i mbeturinave urbane. Kryebashkiakja nënvizon se po shikohet orari i tërheqjes së mbeturinave dhe njëkohësisht po merren kontakte me bizneset për të disiplinuar kohën e depozitimit të mbeturinave, për të evituar qëndrimin e tyre për shumë kohë të ekspozuara nën temperaturat përvëluese të këtyre ditëve.
M.B.





