27 nëntor 2015 – Projektligj i shumëpërfolur për sigurinë publike është sjellë në Kuvend. Ky projektligj parashikon që ambientet publike, apartamentet dhe një kategori e caktuar e bizneseve të pajisen me kamera sigurie të cilësisë së lartë, me sisteme alarmi që të lidhen me policinë si edhe mjete të tjera të sigurisë. Në rast se këto nuk zbatohen, projektligji parashikon gjoba për ato subjekte që nuk kanë marra masa për të mbrojtur territorin e tyre dhe për garantimin e sigurisë përmes vendosjes së kamerave dhe elementeve plotësuese të sigurisë.
“Gazeta Shqiptare” shkruan se projektligji detyron subjektet private që të marrin masa sigurie ato subjekte që kanë selinë, mjediset e punës dhe ushtrojnë aktivitetin tregtar në vende të ekspozuara ndaj rrezikut të shtuar për sigurinë, sipas vlerësimit të analizës së riskut të bërë nga Policia e Shtetit.
Subjektet që duhet të pajisjen me kamera sigurie
-Subjektet që kanë mbi 50 punonjës dhe/ose frekuentues që, në mënyrë të vazhdueshme, akomodohen apo frekuentojnë në të njëjtën kohë një mjedis të hapur ose të mbyllur
-subjektet që ushtrojnë aktivitet tregtar nga ora 23:00 deri 06:00
-subjektet që kanë aktivitet ekonomik, xhiroja vjetore e së cilës është mbi 10 milionë lekë
-subjektet që ushtrojnë veprimtari në fushën e lojërave të fatit
-subjektet që administrojnë mjedise të hapura apo të mbyllura për fëmijë, si: shkolla, kënde lojërash dhe që vlerësohen nga Policia e Shtetit si burim rreziku i shtuar
-subjektet që kryejnë veprimtari transporti publik (udhëtarësh, nxënësish) dhe të mallrave të rrezikshme.
Nëse nuk përmbushen kriteret e parashikuar në projektligj, bizneset do të gjobiten nga 50 mijë Lekë deri në 100 mijë Lekë për biznesin e madh, kurse për biznesin e vogël nga 5 mijë Lekë deri në 20 mijë Lekë. Nëse gjoba nuk paguhet brenda 60 ditëve, masa e fundit do të jetë njoftimi për mbylljen e aktivitetit apo biznesit me arsyetimin që nuk përmbush detyrimet. Sanksionet e përcaktuar në këtë projektligj do të vihen në zbatim me kalimin e 1 viti nga hyrja në fuqi e këtij ligji.
/portali DurresLajm/





