6 shtator 2015 – Kamerieri godet me grusht klientin se i kërkoi kuponin tatimor. Ngjarja është shënuar dje, në një lokal të Tiranës, ku në pranga ra kamerieri së bashku me administratorin e lokalit.
22-vjeçari Emiljano Maliqi nga Erseka, por me banim në Tiranë, “i cili punon si kamerier në lokalin “Erlin” ka goditur me grushta shtetasin S.H i cili ishte klient në lokal sepse i ka kërkuar kuponin tatimor kamerierit. Nga kontrolli ushtruar në subjektin “Erlin shpk” në bashkëpunim me Inpektorët e Tatimeve dhe Seksionin për Krimin Ekonomik Finaciar, rezultoi se ky subjekt nuk lëshonte kupon tatimor duke iu shmangur detyrimeve tatimore”, thuhet në njoftimin e policisë.
Operacioni u kodua “Kuponi tatimor” dhe në pranga përfundoi dhe Dritan Jonuzi, 38 vjeç, lindur e banues në Tirane, administrator i shoqërisë “ERLIN sh.p.k”.
Materialet në ngarkim të këtyre dy shtetasve i kaluan Prokurorisë për veprat penale “Fshehje e të ardhurave”, “Punësim i paligjshëm” dhe “Plagosje e lehtë dhe prishje e qetësisë publike”.
/portali DurresLajm/