21 nëntor 2015 – Fation Habibi, 34-vjeçari i cili u arrestua dje në Sarandë pasi terrorizoi shtëpinë e fëmijës me deklaratën e tij, “Jam kamikaz”, është një i sëmurë mendor dhe ka qenë i shtruar disa herë në spital për depresion.
Një besimtar mysliman që e njeh, ka folur për portalin “Sarandaweb.com”, duke thënë se Fatjoni nuk është një njeri i dhunshëm dhe as kishte prirje ekstremiste. Ai ka shfaqur disa herë çrregullime mendore dhe kohët e fundit kishte filluar të mos i pinte ilaçet.
Ditën e enjte ai kishte debatuar më një tjetër besimtar në xhami. Pasi ishte qetësuar kishte shkuar në një byrektore dhe më pas kishte marrë një qese të mbushur me byreqe për t'ua çuar fëmijëve jetimë (veprim që e bënte shpesh për fëmijët).
“Aty në jetimore, një Zot e di se si mund të jetë kapur me rojën. Në gazetë e morëm vesh që kishte bërtitur "Allahu Ekber", apo ndonjë fjalë tjetër që mund ta konfirmojnë të tjerë që ishin aty. Më pas ai u arrestua dhe të nesërmen është dërguar në spital ku ka shfaqur sërish probleme mendore. Sot ai ndodhet në spitalin e Vlorës”, thotë Ermal Baja, një besimtar që e njihte Fatjonin.
Dje në medie u raportua se Habibi, është futur në ambientet e një shtëpie fëmijësh jetimë, duke bërtitur: “Jam kamikaz, jam i ISIS-Allahu Akber”. Ka qenë roja i Shtëpisë së Fëmijës i cili ka njoftuar policinë menjëherë sapo dëgjoi fjalët e 34-vjeçarit.
/portali DurresLajm/