Ambasadori i Shqipërisë në Londër, Qirjako Qirko, ka folur për prestigjiozen britanike “The Guardian” lidhur me shkrimin e publikuar një ditë më parë në “The Sun” se “emigrantët e paligjshëm do të fluturojnë 1.500 kilometra në një qendër në det të hapur në Ballkan, ndërsa kërkesat e tyre janë duke u përpunuar.
Kërkesat e azilit në Mbretërinë e Bashkuar do të trajtohen sipas këtij plani, ndërsa emigrantët të qëndrojnë në Shqipëria”.
Ambasadori shqiptar mohon për “The Guardian” një lajm të tillë, duke thënë se “Lajmi i dhënë nga ‘The Sun’ është totalisht i pavërtetë. Nuk ka as diskutime dhe as negociata për këtë çështje”.
Gjithashtu, “The Guardian” ka botuar edhe reagimin e bërë një ditë më parë nga ministrja e Jashtme e Shqipërisë, Olta Xhaçka, lidhur me lajmin se Shqipëria do të hapë kamp refugjatësh për emigrantët e paligjshëm që kapen në Britaninë e Madhe, ku e theksonte këtë një lajm të turpshëm dhe të pavërtetë.