DURRËS, 12 shkurt 2015 –  Humbja ndaj Elbasanit ka lënë një shije të hidhur te Teuta, për vetë faktin se u mundën nga një kundërshtar direkt në luftën për mbijetesë. Durrsakët “qajnë” faktin që humbën një mundësi të artë për t’iu larguar sa më shumë ndjekësve më të afërt, sikurse janë Elbasani dhe Apolonia.

Në këtë përballje ranë në sy problemet në mbrojtje të skuadrës, ndonëse përballë nuk kishin ndonjë sulm të frikshëm. Mbrojtja u vu në shënjestër nga stafi teknik i skuadrës, por edhe sulmi nuk është se ishte më mirë në këtë përballje decizive, sikurse e kishin konsideruar durrsakët sfidën me Elbasanin. Ajo që të bën përshtypje është fakti se, skuadra nuk po gjen dot ritmin dhe nuk po siguron dot dy rezultate pozitive radhazi.

Megjithatë, objektivi i “djemve të detit” është të qëndrojnë mes më të mirave edhe për sezonin e ardhshëm. Durrsakët janë të bindur se pavarësisht ecurisë negative, nuk do ta diskutojnë mbijetesën. Ndërkaq, Teuta ka arritur marrëveshje me kosovarin Fatos Zeqiri.

19- vjeçari është zhvilluar si lojtar në akademinë e skuadrës së mirënjohur angleze, Totenham Hotspur. Një gjë të tillë e kanë bërë të ditur mediat kosovare, që citojnë se futbollisti gjatë kësaj jave do t’i bashkohet ekipit bregdetar. Por nga klubi durrsak nuk e konfirmojnë një gjë të tillë. Gjithsesi, gjithçka mbetet për t’u parë.