Një ndërtesë shtetërore në Bjellorusi u përdor nga ushtria ruse për udhëheqjen e një kampi “filtrimi”, ku shumë burime thonë se ushtarët dhe civilë ukrainas u torturuan dhe abuzuan, ka gjetur një hulumtim i Radios Evropa e Lirë (REL). Ndërtesa e kontrolluar nga Qeveria bjelloruse në qytezën Naroulia, afër kufijve me Ukrainën dhe Rusinë në juglindje të vendit, ishte njëra prej shumë ndërtesave ku Rusia i kontrolloi civilët pasi e nisi pushtimin e plotë të Ukrainës në shkurt 2022.

Dëshmitë e dëshmitarëve dhe analizat nga pamjet satelitore të Planet Labs dhe pamje të tjera nga televizioni rus, ia mundësuan REL-it dhe partnerëve të tij të zbulojë për herë të parë publikisht se forcat ruse vepruan në Naroulia në ndërtesën e një kompanie të kontrolluar nga Këshilli i Ministrave i presidentit autoritar, Alyaksandr Lukashenka.

Derisa Lukashenka, i cili është aleat i presidentit rus Vladimir Putin, e ka lejuar Moskën ta përdorë tokën bjelloruse për kalimin e forcave transit dhe për nisjen e sulmeve vdekjeprurëse në Ukrainë, ai nuk e ka pranuar publikisht rolin e Qeverisë së tij në luftën agresore të Rusisë.

Por, Yulia Polekhina, avokate nga grupi ukrainas për të drejtat e njeriut, Sich, tha se Lukashenka mban përgjegjësi për abuzimet që janë kryer në ndërtesën e përdorur nga Rusia në Bjellorusi.

“Këto kampe filtrimi nuk mund të krijohen pa zyrtarë të autorizuar qeveritarë, të cilët duhet ta japin pëlqimin e tyre për këtë”, tha Polekhina. “Është krim lufte kur njerëzit rrihen, torturohen dhe u mohohet kujdesi mjekësor. Dhe, kjo nuk mund të ndodhë pa pëlqimin e autoriteteve”.

Aktivistët për të drejtat e njeriut kanë dokumentuar raste të shumta të torturës dhe transferimeve të detyruara në Rusi të ukrainasve që kanë kaluar nëpër këto kampe, të cilat Rusia i ngriti si në territoret e pushtuara ukrainase, ashtu edhe në Bjellorusi.

Abuzime të tilla u kryen gjithashtu në kampin e Naroulias, sipas ukrainasve që u dërguan atje dhe përfaqësuesve të tyre.

“Civilët rriheshin atje. Dua të them, ne dëgjonim ulërima të vazhdueshme”, tha Bohdan Lysenko, ushtar ukrainas që u dërgua në Naroulia ishte kapur në mars të vitit 2022.

Lukashenka nuk iu përgjigj pyetjeve të dërguara përmes zëdhënësit të tij në lidhje me kampin në Naroulia. Në fund të marsit të vitit 2022, rreth një muaj pasi Putini e nisi pushtimin e plotë të Ukrainës, dy djemtë e Larysa Yahodynskas u kapën nga ushtria ruse dhe u dërguan në Bjellorusi.

Yahodynska dhe familja e saj janë banorë të fshatit ukrainas Orane, rreth 45 kilometra nga kufiri me Bjellorusinë. Në kohën kur djemtë e saj u morën, fshati, si pjesë të tjera në veri të Kievit, ishte nën pushtimin rus.

“Ata thanë se [djemtë e mi] ishin sabotatorë dhe i morën”, tha Yahodynska për grupin ukrainas të gazetarisë hulumtuese, Slidstvo.Info, pak pas ndalimit të tyre.

Djali i saj më i vogël, Vladyslav, ishte i mitur kur u mor, por ai arriti të kthehej në shtëpi pasi u vendos në një jetimore në Bjellorusi. Besohet se vëllai i tij i madh është dërguar në Rusi. Sipas Yahodynskas, Vladyslav ishte rrahur keq gjatë kohës sa mbahej nga forcat ruse, ndërsa vëllai i tij i madh kishte brinjët e thyera nga rrahjet me një shkop bejsbolli. Vladyslavi tregoi se ushtarët rusë e futën atë dhe vëllain e tij në një furgon dhe i çuan në Bjellorusi.

“Atje kishte roje kufitare, dhe unë i pyeta [se ku ndodheshim]. Ata thanë: ‘Bjellorusi, Naroulia’”, kujtoi Vladyslavi.

Vladyslav tha se vendi ku u mbajt pas mbërriti në Bjellorusi i ngjante një ferme kolektive të braktisur të epokës sovjetike. Ky përshkrim përputhej me atë të dhënë nga një ushtar ukrainas i kapur nga forcat ruse afërsisht në të njëjtën kohë me Vladyslavin dhe vëllain e tij, por që më vonë u kthye në shtëpi falë një shkëmbimi të burgosurish.

“Na i mbyllën sytë. Na transportuan me furgon policor. Dhe, një shok tjetër me të cilin ishim tha se atij i dukej sikur dëgjoi emrin ‘Naroulia’”, tha ushtari, i cili kërkoi të mbetet anonim.

Ai shtoi se ata u vendosën në “një fermë të madhe kolektive”, ku “kishte shumë pajisje”, përfshirë tanke dhe armë kundërajrore sovjetike. Duke përdorur të dhënat nga Vladyslavi dhe ushtari ukrainas, gazetarët përdorën pamje satelitore të Planet Labs për të kërkuar kampin në Narouli, në të cilin mund të jenë mbajtur dy burrat.

Detyra u ndërlikua për shkak të pranisë së grumbujve të pajisjeve ushtarake të shpërndara në të gjithë qytetin. Por, regjistrimet kadastrale të analizuara nga gazetarët tregojnë se zonat në Naroulia ku ushtria ruse ruante pajisjet e saj dhe kishte ngritur operacione – përfshirë një spital fushor – ishin regjistruar në emër të ndërmarrjeve shtetërore bjelloruse.

Kampi i filtrimit ku u dërguan Vladyslavi dhe ukrainasit e tjerë mund të ketë qenë ngritur në cilëndo nga këto lokacione. Por, vendndodhja e kampit u gjet falë një burimi të papritur: televizioni rus. Më 22 mars të vitit 2022, rrjeti i televizioneve ruse, NTV, besnik ndaj Kremlinit, e transmetoi një reportazh për ushtarët ukrainas që ishin kapur. Reportazhi përshkroi një portret human të forcave pushtuese ruse, duke shfaqur ushtarët ukrainas duke pranuar trajtim mjekësor dhe procese rutinë.

Në reportazh nuk u përmend vendi ku po mbaheshin ushtarët. Por, gazetarët arritën ta gjurmojnë njërin nga ukrainasit e kapur që u shfaq në reportazh, Lysenko, i cili tha se ishte dërguar në Naroulia dhe se kishte dëgjuar “ulërima të vazhdueshme” nga civilët që ai tha se po rriheshin atje. Ai e përshkroi reportazhin e NTV-së si “pamje propagandistike”.

“Ata nuk e treguan se si po intervistoheshin civilët atje”, tha Lysenko.

Sikurse Vladyslavi dhe ushtari ukrainas që kërkuan të mbeteshin anonim, Lysenko e përshkroi vendin ku u mbajt në Naroulia si “ndoshta një ish-fermë kolektive ose një bazë traktorësh”. Gazetarët ua dërguan reportazhin e NTV-së Vladyslavit dhe ushtarit ukrainas. Ata konfirmuan se ushtarët e kapur ishin shfaqur në të njëjtën “fermë kolektive” ku ata ishin mbajtur.

Falë pjesërisht një ndërtese unike me çati të shkatërruar që u shfaq në reportazhin e NTV-së, si dhe tenda ushtarake që u panë në disa video, gazetarët që analizuan pamjet satelitore nga Planet Labs arritën të përcaktonin se reportazhi ishte filmuar në rrugën “Kamsamolskaya” në Naroulia, në një territor që në atë kohë ishte në pronësi të një kompanie të quajtur “Pripyat Alliance”.

Pronari përfundimtar i kompanisë shtetërore është Bashkimi Republikan Bjellorus i Shoqatave të Konsumatorëve (Belkoopsoyuz), i cili mbikëqyret nga Këshilli i Ministrave të Lukashenkas. Pasi gazetarët e kontaktuan me telefon dhe i bënë pyetje në lidhje me kampin e filtrimit, drejtoresha e “Pripyat Alliance”, Zinaida Mirutenka, i referoi pyetjet te kreu i komitetit ekzekutiv të rrethit të Naroulias, Uladzimir Antonenka, një ish-oficer ushtarak që kishte punuar në shërbimet e sigurisë të Lukashenkas.

Kur Antonenka u kontaktua me telefon dhe u pyet për kampin e filtrimit, ai u përgjigj: “Keni numrin e gabuar” dhe e mbylli telefonatën. Polekhina, avokatja për të drejtat e njeriut nga organizata Sich, tha se një nga klientët e saj është një djalë 24-vjeçar që u ndalua së bashku me babanë e tij nga forcat ruse pranë Kievit në mars të vitit 2022 dhe u “dërgua me forcë” në Naroulia, ku të dy burrat u “mbajtën në një kamp filtrimi”.

“Babai dëshmon se ata u torturuan atje”, tha Polekhina.

Këto dëbime të detyruara mund të përbëjnë shkelje të Konventave të Gjenevës, sipas The Reckoning Project, një organizatë ukrainase-amerikane që dokumenton abuzimet me të drejtat e njeriut gjatë luftës së Rusisë në Ukrainë.

Raportimet për tortura dhe abuzime nga forcat ruse në Naroulia filluan të dalin në sipërfaqe pak muaj pasi Rusia e nisi pushtimin e Ukrainës në shkurt 2022. Iryna Badanova, eksperte nga grupi i koordinues i ushtrisë ukrainase për lirimin e të burgosurve, tha në një intervistë të korrikut 2022 se Naroulia ishte vendi i “një kampi filtrimi ku ndodhin abuzimet më të mëdha ndaj pengjeve civile”.

“Jam e sigurt se edhe Bjellorusia do të mbajë përgjegjësi”, tha Badanova për median ukrainase Suspilne Dnipro.

Ndërkohë, Yahodynska thotë se mori lajme nga dikush që kishte kaluar më shumë se një vit në burg me djalin e saj të madh në Rusi, dhe se ai nuk ishte akuzuar për asnjë krim.

“Ai tha se [djali im] po trajtohej si dëshmitar”, tha Yahodynska.

Më shumë se dy vjet pas ndalimit dhe dëbimit të detyruar të djalit të saj në Rusi përmes Naroulias, Yahodynska thotë se nuk ka asnjë informacion tjetër për gjendjen e tij apo vendndodhjen e tij./REL