Ceremonia e nderimit me medaljen “Ylli i Mirënjohjes Publike” për kampionin e karatesë në Lojërat Europiane, Alvin Karaqi është zhvilluar ditën e sotme. I pranishëm në këtë ceremoni ka qenë edhe kryeministri i vendit, Edi Rama, i cili është shprehur se Alvin Karaqi është një model frymëzimi për të rinjtë. Në mbyllje të ceremonisë, kryeministri Rama i ka dorëzuar kampionit Alvin Karaqi “Yllin e Mirënjohjes Publike”.

Edi Rama: Mirë se erdhët për të kremtuar një tjetër kampion, një tjetër shembull të jashtëzakonshëm për të gjithë. Në rastin e Alvinit, një kampion që ka një veçanti të madhe sepse ndërkohë që arrin të ngjitet në majë të kompeticionit të vështirë dhe sfidues ndërkombëtar në sportin e tij, është edhe një shërbëtor i palodhur i shëndetit të njerëzve si mjek në Zvicër, ku standardet janë ndër më të lartat në botë dhe ku profesionistët që ushtrojnë profesionet, janë ndër më të mirët në botë.

Alvini përbën një shembull frymëzues dhe të jashtëzakonshëm për këdo që në rrugën e pasionit të vet, është i gatshëm të sakrifikojë dhe të angazhohet pavarësisht mundit dhe vështirësive dhe jeton, merr frymë, ushqehet me idenë e ngjitjes në majë dhe të të qenit fitimtar. Më ka bërë përshtypje, dashuria e tij pasionante për atdheun dhe të jetuarit e tij me flamurin kuqezi si me një pjesë të vetes, si në lëkurën e tij të dytë. Alvini është dhëndri që çdo vjehërr do të donte të kishte. Nuk jam kandidati për t’u bërë vjehrri i Alvinit sepse një vajzë që kemi, e kemi të zënë, por jam i bindur se është në këtë aspekt, ai është një djalë shumë i veçantë. Më ka bërë përshtypje se si flet për prindërit.

Pasi është nderuar me “Yllin e Mirënjohjes Publike”, kampioni Karaqi ka mbajtur një fjalë publike në nisje të të cilës, ka falenderuar të gjithë ata që e kanë mbështetur gjatë gjithë jetës dhe karrierës së tij. Emocionet e forta e kanë mbërthyer kampionin e karatesë, dhe për pak momente ai është përlotur e po ashtu edhe familjarët e tij nga këto çaste krenarie për to.

Alvin Karaqi: Faleminderit të gjithë përfaqësuesit e Komunitetit të Karatesë. Faleminderit prindër, faleminderit Erza. Medaljen e kam fituar unë dhe çmimin e kam marrë unë, por prapa meje qëndron një ekip i madh, duke filluar nga prindërit, të dashurës time. Ju jeni arsyeja pse unë kam fituar. Falenderoj shumë ekipin dhe Presidentin. Këtë medalje do ta ndaja me të gjithë, në zemrën time ju kam të gjithëve. Ne duhet të vazhdojmë e të luftojmë për këtë medalje dhe këtë flamur. Jemi krenarë që e përfaqësojmë Shqipërinë, për ndjenjën që po i japim njëri-tjetrit. Në kirurgji edhe në sport nuk kam qef të flas shumë. Faleminderit dhe njëherë për prezencën dhe përkrahjen tuaj. Uroj që të gjithë sportistët dhe sidomos ekipi i karatesë ta përjetojë këtë ndjenjë që po e përjetoj unë. Faleminderit.