Është përmbyllur mbrëmjen e së dielës Kampionati Amator Mix i Volejbollit, një event sportiv që për herë të parë u zhvillua në Durrës.
Një ditë më parë u luajtën dy ndeshjet e fundit, ku për vendin e tretë u ndeshën ekipet e Energy Gym dhe Universitetit “Aleksandër Moisiu”. Vendi i tretë i takoi skuadrës së Energy Gym, ndërsa në finale u përballën ekipet Elvis Group dhe Deutsch Sports, ku skuadra e Elvis Group fitoi 2 me 0.
Me këtë rast u zhvillua edhe ceremonia e shpërndarjes së medaljeve dhe kupave për fituesit e tre vendeve të para.
Kampionati Amator i Volejbollit u organizua nga Akademia Sportive Teuta dhe Klubi Shumësportësh me po të njëjtin emër.
Në këtë event sportiv morën pjesë tetë ekipe të krijuara nga institucionet shtetërore dhe kompanitë private, të cilët u përballën me njëra tjetrën në ndeshje me nga dy sete secila.
M.B.





