Peshëngritësi 17-vjeçar Ertjan Kofsha nuk ka mundur të hyjë në zonën e medaljeve në Kampionatin Evropian të peshëngritjes për të rinj & U23, që po zhvillohet këto ditë në Durrës,
17-vjeçari që në muajin gusht mori 3 medalje ari në Kampionatin Evropian në Poloni për moshat U-15 dhe U-17, dështoi ditën e sotme në stilin e shkëputjes, ku u rendit në vendin e katërt.
Shtangisti i ri, që garonte me peshëngritës të moshës 20-vjeçare, arriti të ngrinte 143 kg në shkëputje, ndërsa dështoi në të tre tentativat për të ngritur 146 kg.
Tek Kofsha ishin pritshmëritë më të mëdha të Kombëtares së Shqipërisë për të rinjtë për të rrëmbyer një medalje në këtë kompeticion evropian.
Talenti shqiptar konkuroi në peshën 81 kg me peshëngritës nga vende të ndryshme të Evropës, që ishin kryesisht të moshës 20 vjeç.
Bën përshtypje fakti që Kofsha dështoi të ngrinte 146 kg në stilin e shkëputjes, ndërkohë që në Evropianin e zhvilluar 3 muaj më parë në Poloni ai ngriti 145 kg në stilin e shkëputjes dhe 168 në stilin e shtytjes, për ta mbyllur dygarëshin me plot 308 kg.