Kategoria Superiore rikthet me ndeshjet e javës së pestë, që do të luhen të enjten më 12 Tetor. Pas përfudimit të pushimeve, si pasojë e eleminatoreve të Botërorit, ekipet e Superligës do të rikthehen në fushë. Të gjitha sfidat e javës së pestë janë parashikuar të luhen ditën e enjte.

Kukësi do të luajë në transfertë ndaj Lushnjës. Kjo e fundit do të rikthehet të luajë në stadiumin “Roza Haxhiu”, pas rikonstruksionit të pjesshëm që pati ky impiant. Skënderbeu kryesues i Superligës do të pres Laçin në Korçë, ku “ujqërit” do të kërkojnë të vijojnë rezultatet pozitive në kampionat për të mbajtur kryesimin. Luftëtari do të përballet me Kamzën ndërsa Vllaznia do të pres në “Loro Boriçi” vlonjatët e Flamurtarit.

Sfida që pritet me interes është ajo mes Teutës dhe Partiazanit. Durrsakët kërkojnë fitore, ndërsa Partizani nuk ka më justifikime ndaj fitorja është rezultati i vetëm që duan në Durrës.Tre ditë pas javës së pestë të kampionatit, skuadrat e Superligës do të zbresin sërish në fushë për javën e gjashtë. Por kalendari nuk i lë pushim as në mesin e javës së ardhshme ekipet e Superligës dhe ato të Katëgorisë së Parë, pasi më datë 18 tetor do të luhen ndeshjet e para të turit të dytë të Kupës së Shqipërisë.

Pra thënë ndryshe, ekipet e superiores në më pak se shtatë ditë do zhvillojnë tre ndeshje në kampionat dhe kupë. Axhenda e ngjeshur e ndeshjeve vjen si pasojë e nisjes disa javë me vonëse të kampionatit shqiptar.